Sonja Biserko, presidente e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, komentoi rastin nga Priboj të Sanxhakut në Serbi, aty ku gjatë një ahengu, policë serbë kënduan vargje gjenocidale ndaj boshnjakëve, ku veçohej Srebrenica.

Siç thotë ajo, nuk është rastësi që kjo po ndodh pikërisht atje, dhe se popullata boshnjake në Bosnje dhe Sanxhak mbahet vazhdimisht në njëfarë tensioni.

Ajo i lidhi ngjarjet e fundit edhe me rrethanat aktuale ndërkombëtare, duke theksuar se “Serbia beson se ky është një moment historik kur mund të përfundojë i ashtuquajturi ‘projekt i botës serbe’”.

“Boshnjakët janë ende grupi i synuar, sepse Sanxhaku konsiderohet si një pikë në të ashtuquajturën “transversal i gjelbër’. Pas spastrimit të Bosnjës Lindore nga boshnjakët në fillim të viteve 1990, Sanxhaku mbetet ende një entitet kompakt i banuar nga boshnjakë.

Nuk është rastësi që kjo ndodh atje dhe që këto këngë i këndon policia, pra organi shtetëror dhe jo vetëm fansat apo grupet radikale. Pra, bëhet direkt nga një institucion shumë i rëndësishëm i sistemit”, theksoi Biserko.

“Serbia beson se ky është një moment historik kur mund të përfundojë i ashtuquajturi ‘projekt i botë serbe’, ndërsa popullata boshnjake është perceptuar si një faktor përçarës për shumë vite. Kohët e fundit kam qenë në Sanxhak dhe mund të them se aty njerëzit ndihen më të pasigurt se 10, 15 vjet më parë. Ata janë të zhgënjyer që shteti nuk bëri asgjë për të hedhur dritë mbi krimet që ndodhën në fillim të viteve 1990 – përkundrazi, gjithçka u mbulua,” arsyetoi Biserko.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re