Të gjithë kanë këmbë të ftohta në një moment – nuk është asgjë e pazakontë. Normalisht nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Shpesh na ftohin këmbët sepse jashtë bie borë ose shi dhe nuk kishim këpucët e duhura.

Megjithatë, nëse gishtat e këmbëve janë vazhdimisht të ftohta, kjo mund të jetë shenjë e një problemi shëndetësor. Ftohja kronike e këmbëve mund të jetë simptomë e këtyre sëmundjeve.

Ateroskleroza

Në aterosklerozë, esteret e kolesterolit dhe yndyrnat e tjera grumbullohen në murin e brendshëm të enëve të gjakut arterial. Për shkak se ato kufizojnë rrjedhjen e gjakut në këmbë, ndodh qarkullimi i dobët – gjë që mund të çojë në këmbë të ftohta dhe të dhimbshme.

“Arteriet në këmbë janë shumë të vogla. Kjo është arsyeja pse ata janë veçanërisht të prekur nga ateroskleroza. Faktorët që rrisin rrezikun e një sëmundjeje të tillë përfshijnë: duhani, tensioni i lartë i gjakut, kolesteroli i lartë dhe mosha e vjetër.

Diabeti

Diabeti nuk shkakton ftohje të këmbëve. Megjithatë, disa njerëz që vuajnë nga kjo sëmundje përjetojnë dëmtime nervore ose neuropati në këmbë. Kjo është më e zakonshme në pacientët me diabet të tipit 2. Këmbët e ftohta ndodhin sepse dëmtimi prish nervat që matin temperaturën tonë në këmbë.

Qarkullim i dobët: Pacientët me diabet të tipit 2 përgjithësisht priren të kenë qarkullim të dobët – gjë që mund të shkaktojë edhe këmbë të ftohta. 

Sëmundja e Raynaud

Sëmundja e Raynaud është një gjendje e rrallë në të cilën enët e gjakut në duar dhe këmbë ngushtohen kur ndiheni të stresuar.

Atëherë gjaku nuk mund të hyjë në duart ose këmbët tuaja dhe ato bëhen të bardha ose blu. Mund të skuqen pak ndërsa ngrohen. Njerëzit që jetojnë në klimat më të ftohta kanë një rrezik më të madh për këtë sëmundje. Gjithashtu preken më shumë grate dhe njerëzit që kanë një anëtar të familjes që e ka atë sëmundje. Sëmundja nuk është e rrezikshme, por i irriton shumë njerëz.

Anemia

Anemia është një gjendje ku trupi jonë prodhonë më pak qeliza të kuqe të gjakut. Shkaku më i zakonshëm është mungesa e hekurit, i cili është thelbësor për prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut

Kjo gjendje mund të shkaktojë një sërë problemesh, duke përfshirë këmbë të ftohta kronike. Për shkak të numrit të zvogëluar të qelizave të gjakut, ne kemi shumë pak hemoglobinë, e cila është përgjegjëse për transportimin e oksigjenit në trupin tonë. Muskujt dhe indet në këmbë nuk marrin oksigjen të mjaftueshëm.Kjo është arsyeja pse këmbët tuaja ftohen.

Shkaqe të tjera të këmbëve të ftohta

Ankthi: Kur kemi frikë, trupi lëshon adrenalinë. Kjo jo vetëm që e vendos trupin tonë në modalitetin e luftimit, por gjithashtu bën që më pak gjak të rrjedhë në pjesë më pak të rëndësishme të trupit, si duart dhe këmbët, për të mbrojtur organet më të rëndësishme. Kjo mund të bëjë që duart dhe këmbët tuaja të ndjehen të ftohta.

Kurat natyrale kundër këmbëve të ftohta

  • Lëvizja është një nga mënyrat më të lehta për të ngrohur trupin dhe rikthyer qarkullimin e gjakut nga dhe drejt këmbëve. Kryeni aktivitete fizike të shpeshta që t’ju ngrohet trupi.
  • Vishuni mirë dhe me çorape të ngrohta.
  • Bëni banjë të ngrohtë për këmbët për 10-15 minuta.

Nëse ju ndieni se gishtat i keni të ftohtë, por në prekje ata janë në temperaturë normale, atëherë vizitohuni tek mjeku sepse kjo është një tregues i një dëmtimi nervor.

 

Përshtati nga Gjermanishtja në Shqip: Marsida Bregasi

Burimi: https://www.businessinsider.de/wissenschaft/gesundheit/kalte-fuesse-8-gruende-koennten-dahinterstecken/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re