Nëse keni bërë plane për fundjavën, fillimisht lexoni se si do të jetë moti dy ditët e ardhshme.

Meteorologu Hakil Osmani ka treguar në emisionin “7pa5” në Vizion Plus, se ditën e diel pritet një rënie graduale e temperaturave, teksa nuk do të mungojnë as reshjet e shiut.

Reshjet do të vazhdojnë deri në ditën e mërkurë, teksa në zonat malore priten edhe reshje dëbore.

“Dita e sotme mbetet në ndikimin e kthjellimeve, kalimit të vranësirave, parashikohet që gjatë mesditës dhe pasdites vranësirat të jenë disi më të shpeshta, ku në zona të izoluara do të krijojnë moment për reshje me pika të pakta shiu. Janë reshje të izoluara, kryesisht në zonat verilindore, juglindore dhe shumë pak pritet të preken zonat qendrore, por që do të jenë një situatë e përkohshme, pasi orët e mbrëmjes do të sjellin përmirësim të kushteve të motit, përmirësim i cili do të vijojë edhe përgjatë ditës së shtunë, duke bërë që paraditja të jetë në ndikimin e kthjellimeve, por pjesa e dytë e ditës pritet që të sjellë kalime të vranësira. Vranësira që ditën e diel do të jenë më të dukshme, duke bërë që në zonat veriore të kemi momente të pakta me reshje shiu, pasditja pritet të sjellë zhvillime të vranësirave, të cilat do të krijojë dhe reshje shiu. Më të fokusuara do të jenë në zonat veriore dhe zonat qendrore. Orët e vona të natës presim që të kemi prezente reshjet e shiut në të gjithë territorin. Është një sistem që vjen shumë shpejt në vendin tonë, gjatë pasdites së ditës së diel dhe gjatë paradites së ditës së hënë, por intensiteti më i lartë i reshjeve do të jetë mbrëmjen e ditës së diel dhe mëngjesin e ditës së hënë. Më pas pritet që ky sistem të spostohet drejt zonave lindore.  Të paktën deri në ditën e mërkurë do të na duhet çadra me vete.

Duke filluar nga dita e diel pritet të kemi rënie graduale të temperaturave, duke bërë që minimumet në zonat malore të jenë 1 apo 0 gradë Celsius, ndërsa në zonat e thella malore do të kemi dhe vlera negative duke bërë që të kemi edhe dëborë kryesisht në zonat verilindore dhe juglindore”, tha Osmani.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re