Kenia ka refuzuar vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për t’i lënë Somalisë pjesën më të madhe të zonës së diskutuar në kufirin detar që ka shkaktuar mosmarrëveshje mes Kenias dhe Somalisë.

Presidenti i Kenias, Uhuru Kenyatta në një deklaratë tha se vendimi nuk është befasi dhe se janë jashtëzakonisht të shqetësuar nga efektet në Bririn e Afrikës.

Duke vënë theksin se nuk e njohin dhe e refuzojnë plotësisht vendimin, Kenyatta shtoi se vendi i tij ka të drejtën më themelore për të mbrojtur territorin e vet por që ata janë pro zgjidhjes diplomatike.

Ai tha se GJND-ja gjithashtu duke shkuar përtej juridiksionit të saj ka shkelur qëllimin e themelimit të saj.

Pjesa më e madhe e kufirit iu la Somalisë

Kryetarja e GJND-së, Joan Donoghue dje njoftoi vendimin e marrë lidhur me çështjen e mosmarrëveshjes për kufirin detar mes Kenias dhe Somalisë. Ajo bëri të ditur se pretendimet e Kenias për kufirin detar nuk përbëjnë një ndarje të drejtë dhe se për këtë arsye GJND-ja përcaktoi sipas “parimit të drejtësisë dhe barazisë” kufirin detar mes dy vendeve.

Sipas kësaj, pjesa më e madhe e zonës së diskutueshme e ndarë mes dy vendeve iu la Somalisë ndërsa një pjesë e vogël Kenias.

Mosmarrëveshja kufitare Kenia-Somali

Të dy vendet prej kohësh kanë qenë në mosmarrëveshje mbi brigjet me pamje nga Oqeani Indian, të cilat pretendohet se kanë depozita të pasura të naftës dhe Gazit.

Somalia mbron idenë e saj se kufijtë detarë të dy vendeve në Oqeanin Indian duhet të përparojnë në të njëjtin drejtim me kufirin tokësor të Somalisë ndërsa Kenia pretendon se kufiri duhet të përparojë me një kënd rreth 45 gradë përgjatë vijës bregdetare kundrejt të Somalisë.

Për zgjidhjen e mosmarrëveshjes Somalia dhe Kenia iu drejtuan Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), por çështja seanca e parë e së cilës duhet të fillonte në shtator 2019 është shtyrë disa herë me kërkesë të Kenias.

Qeveria e Somalisë, më 11 shkurt duke reaguar ndaj kërkesës së Kenias për të shtyrë çështjen e mosmarrëveshjes, akuzoi Kenian për grabitje të territoreve të Somalisë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re