Ambasadori i BE-së Luigi Soreca është ndalur sot në Kukës, ku ka folur mes të tjerave dhe për aktualitetin politik në vendin tonë, si dhe për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Sipas Sorecës Shqipëria i ka plotësuar një pjesë të mirë të kushteve për integrimin, dhe se realizimi i një marrëveshje zgjedhore me konsensus është prioritet për BE-në.

“Ne kemi vite që flasim me Shqipërinë dhe BE flet me Shqipërinë. Vendimi i marrë në Mars për negociatat u mor në një moment të vështirë. Shumë kushte janë përmbushur dhe Shqipëria është shume afër plotësimit të të gjitha prej tyre. Kam mirëpritur vendimin e Presidentit dhe Parlamentit për nxjerrjen e dy vendeve vakant për Gjykatën Kushtetuese.

KLGJ duhet të bëjë vlerësimin dhe ky është një kusht që duhet te përmbushet në javët në vijim për fatin e konferencës së parë ndërqeveritare. Marrëveshja e 5 qershorit një hap i rëndësishëm. Shqipëria shpresoj të bëjë segmentin e fundit me qëllim që komisioni të marrë vendimin për konferencën ndërqeveritare ndoshta në fund të këtij viti.

Ju e dini qëndrimin e BE për reformën zgjedhore. Ne kemi punuar për marrëveshjen dhe u përmbush kushti për administratën zgjedhore.

Ne kemi shprehur keqardhjen që mazhoranca vijon punën pa konsensus dhe është e rëndësishme që të gjendet konsensusi mes palëve.

Duhet të punojnë fort që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme”, është shprehur Soreca.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re