Hikmete Aliti mbërriti në Sofje për të parë të shoqin, Orhanin. 45 vjeçari ishte me të birin 23 vjeçar në autobusin e tragjedisë e nuk mundi ta shpëtojë djalin.

Hikmetja foli shkurtimisht për median, duke treguar gjendjen shëndetësore të të shoqit, i shtruar në spitalin publik të Sofjes.

“Bashkëshorti është në spital i ka unazat e thyera dhe këmbën do të bëhet operacion, por Visarin sën e ka shpëtuar. Ai ka kërcyer i pari, sa mujta bërtita Visar, Visar su dëgjojka zhurmë madhe nuk u dëgjojke. U dëgjova, tha unë shpëtova por djalin e kemi të humbur. Unë kam ardhur nga Belgjika me djalin e dytë”, –tregoi gruaja.

Siç u raportua më herët , Orhani së bashku me një tjetër pasagjer, arritën të thyejnë xhamin e autobusit dhe i shpëtuan flakëve e tymit që përfshiu autobusin. 45 vjeçari theu këmbën pasi kërceu nga autobusi dhe për pak sa nuk u shtyp nga një makinë që kaloi në rrugë, pranë vendit të aksidentit.

Siç rrëfeu familjari, Orhani ka tentuar të çohet por nuk ka mundur. Ka nisur të bërtasë emrin e të birit “Visar kërce, hidhu”, por nuk ka marrë përgjigje nga i biri, i cili u shua në autobusin ku ndodhi tragjedia.

Shkaku i aksidentit, shumë teori por ende asnjë informatë zyrtare

Përgjatë këtyre dy ditëve një sërë pistash janë përcjellë nga media në lidhje me shkakun që solli aksidentin me të paktën 45 viktima. Pista e një gabimi njerëzor apo jo e një problemi të automjetit duket se janë lënë më tutje dhe nga pista se në brendësi të autobusit, kishte bidonë me benzinë apo mjete piroteknike.

Zyrtarisht ende asnjë pistë nuk është e konfirmuar. Autoritetet bullgare janë treguar deri më tani të kujdesshme në dhënien e informatave, ndërsa puna vijon në të gjitha drejtimet. Në një prononcim për median maqedonase, zëdhënësja e prokurorisë bullgare u shpreh se do të japin të dhëna zyrtare ditën e nesërme (e enjte). Mbetet për t’u parë nëse organi i akuzës do të shpërndajë për publikun informata mbi shkakun apo numrin e shkaqese që sollën një ndër aksidentet më tragjike të regjistruara në Evropë.

Analizat e ADN-së për viktimat do të zgjasin 1 javë

Shumë prej viktimave janë karbonizuar dhe s’mund të identifikohen përveçse një analize të ADN-së. Tashmë procesi ka filluar dhe sipas deklarimit të Ministrit të Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, puna do të kërkojë 1 javë kohë.

“Ajo çfarë është e rëndësishme, është se procesi i identifikimit të trupave ka filluar. Në këtë proces aktivë janë edhe ekspertët tanë(Maqedonas). Ajo çfarë ramë dakord, ishte që të përshpejtohet procesi për grumbullimin e materialit biologjik, procedurë të cilët MPB tashmë e kryen në Shkup. Procesi i analizës së materialit ADN do të zgjasë shtatë ditë dhe kjo është e rëndësishme për familjarët, për shtetin në pjesën e planifikimit. I kam lutur që sot të kthehen në shtëpi, sepse duhet të kalojnë 7 ditë që të përfundojë procesi i identifikimit. Pasi të përfundojë, identifikimi i të gjithë trupave, atëherë Ministria e Punëve të Jashtme do t’i marrë trupat dhe do të organizojë transport me vetura të kufomave të trupave deri në Shkup, pastaj nga Shkupi do të mund t’i tërheqin familjet”, tha Osmani.

Po gjendja e të mbijetuarve si është?

Fatmirësisht asnjë nga 7 të mbijetuarit nuk ka marrë lëndime që i rrezikojnë jetën. Mjekët e spitalit ‘Pigorov’ dhanë sot një deklarim për median, duke saktësuar se 6 prej tyre ndodhen në repartin e djegie-plastikës ndërsa 1 në repartin e traumatologjisë.

“Gjashtë prej tyre janë në Klinikën për kirurgji plastike, ndërsa një në traumatologji. Të gjithë janë në gjendje stabile, i është ofruar ndihmë psikologjike, mbrëmë janë bërë intervenime të suksesshme operative, dy prej tyre duhet të operohen edhe sot, njëri të djegura të thella në të dy krahët dhe duhet të operohet dhe një vajzë që duhet të operohet në gjurin e djathtë, por ky është operacion i kryer”, tha Marija Argirova, mjeke në kirurgjinë plastike.

“Me gjasa do të lirohen nga spitali deri në fund të kësaj jave ose në fillim të javës së ardhshme, sipas mundësive. Vajza 16 vjeçare është mirë po punojnë psikologë me të“, pohoi Argirova.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re