
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka lëshuar një paralajmërim të fortë ndaj veprimeve provokuese të Rusisë, duke theksuar se Evropa nuk do të qëndrojë pasive përballë shkeljeve të hapësirës ajrore dhe kërcënimeve ndaj sigurisë së saj.
Ajo theksoi se Bashkimi Evropian nuk duhet vetëm të reagojë, por të pengojë.
“Nëse hezitojmë të veprojmë, zona gri vetëm do të zgjerohet. Misioni i BE-së është të ruajë paqen. Dhe sot, kjo do të thotë të kemi aftësinë për të penguar agresionin dhe provokimin. Ne kemi nevojë urgjente për një aftësi reagimi strategjik”, tha Von der Leyen.
Von der Leyen e përshkroi situatën si pjesë të një fushate të qëllimshme dhe të synuar kundër Evropës, duke nënvizuar se përgjigja duhet të jetë e vendosur dhe e koordinuar.
“Ne duhet të hetojmë çdo incident. Dhe nuk duhet të hezitojmë të ngarkojmë përgjegjësinë. Sepse çdo centimetër katror i territorit tonë duhet të mbrohet,” u shpreh ajo.
