Nga Blendi Gashi

Deputeti i NISMA-s, Milaim Zeka u arrestua mëngjesin e së mërkurës me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë për shkak të kërcënimit të prokurorit special, Afrim Shefkiu, se do ta ndjekë atë me gjyq, kanun e privatisht.

“Ma përpara ia kisha falë nëse ma kish vra njërin prej fëmijëve në afekt sesa kështu me ia shkatërru njerëzve ëndrrat. Mua më kanë poshtëruar. Unë do ta ndjek këtë prokurorin tëm me gjyq, me kanun e edhe privatisht. Nuk ia fali kurrë poshtërimin. Se njerëzit tash thonë për mua: Kqyre ky hajni i vizave”, deklaroi Zeka në një emision televiziv.

Ky kërcënim që i bëri i kushtoi Zekës me prangosje, pasi i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orëve dhe më pas Prokuroria pritet të kërkoj masë të paraburgimit prej 30 ditësh.

Por ky nuk është rasti i parë kur ligjvënësit kërcënojnë prokurorët. Ditë më parë njëjtë veproi edhe deputeti i AAK-së, Shkumbin Demaliaj, i cili kërcënoi ish-prokurorin special, Elez Blakaj që iku në Amerikë, siç tha pas kërcënimeve që mori pas hetimit të listave të veteranëve.

Demaliaj kërcënoi se nëse Blakaj nuk ndiqet nga shteti i Kosovës, këtë do ta bëjë ai dhe familja e tij.

“Ai është një idiot, një bir kudre, unë do ta ndjek privatisht me familjen time në qoftë se shteti i Kosovës nuk bën asgjë rreth hetimit të këtij prokurori”, tha Demaliaj në një paraqitje në televizionin publik.

Ai më tej tha se është ndjerë shumë i fyer që babai i tij i varrosur me nderime ushtarake është gjetur në listat e veteranëve të rrejshëm.

Ndërkaq, një ditë para kësaj deklarate, Demaliaj shfaqi mllefin në Facebook duke e quajtur Blakajn dezertor.

“Evvvv Elez Blakaj hallall të qoftë..! Por Babain tim Bajram Demaliaj të vdekur dhe të varrosur me nderimet më të larta ushtarake me ma shpallur mashtrues kurr hallall mos të qoftë o Dezertor..!! Shteti im i dashur dua drejtësi nga t’i që atë fundrrinë ta ktheni dhe gjykoni në Kosovë..!! Bashkëluftëtarë të UÇK- së mbajeni kokën lartë sepse askush nuk mundet të na thyej..!!”, shkruajti Demaliaj.

Për dallim nga Zeka që u prangos, drejtësia kosovare nuk veproi njejtë edhe me deputetin Demaliaj edhe pse ky kërcënoi se do e ndjek privatisht ish-prokurorin Blakaj.

Andaj shtrohet pyetja se a po bëhet drejtësi selektive në Kosovë?

Kujtojmë se deri më tani nuk ka pasur ndonjë reagim nga NISMA e Fatmir Limajt për arrestimin e deputetit të tyre Milaim Zeka.

Prokurori Special, Afrim Shefkiu ka propozuar 907 dëshmitarë kundër Zekës për rastin e njohur si “të vizave”. 900 prej tyre janë viktima të mashtrimit me viza pune në Gjermani të cilëve u janë marrë sipas raportimeve të portalit “Insajderi” 345 mijë e 700 euro.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re