Kryeministri Edi Rama ka thyer heshtjen në lidhje me akuzat e bëra nga ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj. Pas mbledhjes së Asamblesë, në një prononcim për mediat, Rama tha se kush ka cështje me drejtësinë i ka me drejtësinë.

“Për pyetjen që më bëni është e për e kotë, ka vetëm një përgjigje. PS nuk komenton çështje që lidhen me drejtësinë. Çdokush që ka çështje me drejtësinë i ka me drejtësinë. Ka një karakteristika të të gjithë atyre që kanë çështje me drejtësinë, që ndjehem viktima të forcave të errëta apo forcave të tjera, por nuk është fare, për mua dhe për ne, ta shpjegojmë këtë fenomen”, tha Rama

Pyetjes nëse e ka kërcënuar Ahemtajn ashtu siç ai pretendon, kreu i qeverisë tha: “PS e ka shumë të qartë pozicionin e vetë, juve mund të pyesni sa herë të doni, por është detyra jonë që  drejtësisë t’i japim të gjitha mundësitë të bëjë punën e vetë, e pa shqetësuar nga ndikimi i pushtetit ekzekutiv e as, madje e pa shqetësuar as nga komentet e atyre që përfaqësojnë PS”.

Kujtojmë se ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj, në kërkim për çështjen e inceneratorëve doli në një intervistë për Syri Tv, ku ndër të tjera pretendoi se është kërcënuar me jetë.

“Jam kërcënuar tre herë nga njerëz të panjohur. Njëherë në telefon nga burgu, dy herë drejtpërsëdrejti. Kur kërcënimi arriti te gruaja që mbante fëmijën tim, nuk e lashë më të më ikte me demek si trim i madh. Hera e fundit ka qenë te rrethi te liqeni, ku kisha shtëpinë me qira.

Kanë qenë të frymëzuara politikisht, se të thotë kryeministrit ‘të vejë në të sëmës’ ose të thotë se ‘po të isha prokuror të ishte me keq’, kush do më kërcënojë mua”, deklaroi ai.

Pjesë nga prononcimi i Ramës me gazetarët:

– A duhet të mbani qëndrim për dy akuzat që janë bërë nga ish numri 2 i qeverisë zoti Ahmetaj? Një qëndrim ndoshta dhe një koment për ato akuza dhe për qytetarët dhe anëtarët e PS pasi zoti Ahmetaj të paktën zyrtarisht vijon të jetë ende anëtar i PS?

Kryeministri Edi Rama: Tani, për qytetarët mos u shqetësoni sepse duhet të jeni shumë të sigurta dhe të sigurtë që leximin e opinionit të qytetarëve ne dimë ta bëjmë më mirë se kushdo tjetër sepse jo vetëm jemi në territor me qytetarët, por mbi të gjitha prej shumë vitesh kemi instrumente shkencorë përmes të cilave vlerësojmë opinionin qytetar, ne zhvillojmë anketime të rregullta për opinionin qytetar për çdo çështje. Ne zhvillojmë fokus grupe në mënyrë të vazhdueshme për të kuptuar cilat janë shqetësimet e qytetarëve, çfarë qytetarët presin nga ne, çfarë kritikash kanë ata për ne dhe ne zhvillojmë fokus grupe me qytetarët që na votojnë, me qytetarët që nuk na votojnë dhe kështu me radhë.

Kështu që për qytetaret mos u shqetësoni, ata janë shumë të qartë dhe gjithmonë janë më të qartë sesa ne, se ju po e po sepse qytetarët merren gjithmonë, qytetarët shqiptarë që unë e kam thënë dhe e përsëris sa herë më jepet mundësia, janë politikisht një bashkësi jashtëzakonisht e interesuar dhe jashtëzakonisht me nuhatje. Dinë shumë mirë t’i ndajnë broçkullat nga thelbi dhe për pyetjet që më bëni, është një pyetje e tepërt, e kotë, e përsëritur që ka vetëm një përgjigje. Partia Socialiste, unë dhe të gjithë ne nuk komentojmë çështje që lidhen me drejtësinë dhe çdokush që ka çështje me drejtësinë i ka me drejtësinë. Ka një karakteristikë të përgjithshme të gjithë atyre që kanë çështje me drejtësinë, që ndihen viktima të forcave të errëta apo të forcave të tjera, por nuk është fare për mua dhe për ne ta shpjegojmë këtë fenomen. Kush ka probleme me drejtësinë t’i zgjidhi me drejtësinë. Nuk bën përjashtim askush për asnjë arsye. Unë kam qenë shumë serioz që ditën e parë kur kam thënë: duam një reformë në drejtësi për t’i hapur rrugën më në fund në një Shqipëri ku s’ka pasur kurrë drejtësi, një drejtësie që është jashtë influencës së pushtetit ekzekutiv dhe këtë ne e kemi arritur sot por është një arritje që nuk është e pakthyeshme prandaj ne do të vazhdojmë të qeverisim që këtë arritje ta bëjmë të pakthyeshme duke qene ne ata që e garantojmë drejtësinë, që është e lirë të veprojë, i ka duart e lira të veprojë mbi këdo dhe për çfarëdo arsye që drejtësia beson se X, Y, Z, të majtë, të djathtë, të qendrës, nën apo mbi, anash apo mbrapa duhet të përgjigjen përpara drejtësisë.

– A e keni kërcënuar ju Arben Ahmetajn në mbledhjen e kryesisë? Se ai pretendon që më pas kërcënimet kanë shkuar dhe tek familja dhe janë kthyer në kërcënime me jetë.

Kryeministri Edi Rama: Partia Socialiste e ka shumë të qartë pozicionin e vet. Ju mund të pyesni sa herë të doni, mund të komentoni sa herë të doni. Është liria dhe e drejta juaj të bëni komente për çdo gjë, por është detyra jonë që drejtësisë t’i japim të gjitha mundësitë të bëjë punën e vetë e pa shqetësuar nga ndikimi i pushtetit ekzekutiv, madje e pa shqetësuar as nga komentet e atyre që përfaqësojnë Partinë Socialiste.

– Një koment për akuzën që ju keni qenë strateg i kanabizimit të vendit sepse vjen nga ai   që ka qenë bashkëpunëtori juaj më i afërt.

Kryeministri Edi Rama: Partia Socialiste nuk bën komente mbi komentet e kujtdo që ka punë me drejtësinë. Kjo vlen për të gjithë dhe kjo nuk do të ndryshojë. Fatmirësisht kemi sot një ditë të re në rrugëtimin ende të gjatë të drejtësisë në Shqipëri e në këtë ditë të re kemi një pikë referimi që është struktura antikorrupsion e ndërtuar pikërisht për të bërë të mundur atë që deri dje dukej e pamundur dhe ne jemi Partia Socialiste që mision kemi të bëjmë të mundur gjëra që për të tjerët kanë qenë të pamundura apo gjëra që shumëkujt i duken sot e gjithë ditën të pamundura, por hap pas hapi do të shohin të gjithë e do të besojnë të gjithë se koha kur flamuri i partisë, i cilësdo parti, ishte gjethe fiku apo ishte çarçaf për të mbuluar hijet në trup ka vdekur.

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re