Kryetari i bashkisë së Kievit dhe ish-kampioni botëror i boksit në peshën e rëndë, Vitali Klitschko tha për kanalin Ukraine 24 se do të merrte pjesë aktive në mbrojtje në rast të një sulmi rus në Ukrainë.

“Nëse fillon agresioni ushtarak, unë, si ish-ushtar, do të marr një automatik dhe do të shkoj në luftë”, citohet të ketë thënë Klitschko nga RIA Novosti e Rusisë.

Më herët, Klitschko kritikoi vendimin e Gjermanisë për të dërguar 5000 helmeta ushtarake në Ukrainë.

“Pesë mijë helmeta – kjo duhet të jetë një shaka. Çfarë do të na dërgojë më pas Gjermania në mbështetje? Jastëkë?”, tha Klitschko i indinjuar.

Klitschko tha gjithashtu se “zhgënjimi i madh” mbizotëroi midis ukrainasve sepse Gjermania nuk i ndryshoi parimet e saj mbi tregtinë e armëve dhe nuk braktisi projektin e gazsjellësit Nord Stream 2.

Klitschko tha gjithashtu se nëse Shtetet e Bashkuara dhe Evropa lejojnë Putinin të sulmojë Ukrainën, Rusia nuk do të ndalet me kaq, por do të shikojë se si të rrezikojë vendet baltike.

“Kur Putin flet për dëshirën e tij për të kthyer perandorinë sovjetike, ajo përfshin dhe ish-RDGJ. Prandaj, kërcënimi i luftës kundër Ukrainës duhet të shqetësojë çdo gjerman,” tha Klitschko.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko