Kryeministri Edi Rama ka komentuar në Kuvend kërkesën e vazhdueshme të opozitës për futjen e elektronikës në zgjedhje. Kreu i qeverisë tha se ODIHR nuk është aspak entuziast, ndërsa kujtoi edhe rastin e Gjermanisë, ku sipas tij “futja e teknologjisë në zgjedhje quhet antikushtetuese“.

Kryeministri ia hodhi fajin opozitës, pasi sipas tij maxhoranca ishte dakord për aplikimin e teknologjisë në zgjedhje.

“Jemi angazhuar që në vitin 2019 për çështjen e elektronikës në zgjedhje. Nëse e donin vërtetë, kolegët e asaj kohë që ishin në këtë sallë duhej të angazhoheshin që në fillim, pasi është një proces jo i lehtë. ODIHR nuk ka qenë dhe nuk nuk është entuziast për teknologjinë në zgjedhje dhe nuk e ka rekomanduar. Gjermania e ka konsideruar antikushtetuese teknologjinë në zgjedhje. Por ODIHR përsërit vazhdimisht që teknologjia në zgjedhje të aplikohet me faza.  Bëmë të gjitha përpjekjet që në zgjedhjet lokale të 2019 të aplikonim projektin pilot në 2-3 zona. Nuk ndodhi sepse agjenda e opozitës ishte dhe mbete tjetër dhe ndërkohë koha vrapoi”, tha Rama.

Rama tha se në asnjë vend nuk bëhën me konsensus reformat elektorale. “Ato i vendosin kush ka votat në parlament”, tha kryeministri.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re