Arrestohet nje i ri ne Kavaje pasi kishte kanosur nje punonjes policie per shkak te detyres.

Pas një hetimi 6-mujor,  Njësia e Hetimit të Krimeve Kibernetike ka kryer hetime të plota në lidhje me kallëzimin e marrë nga një punonjës policie i cili ndihej i kërcënuar në rrjetet sociale, për shkak të detyrës, nga një shtetas i panjohur.

Pas kryerjes së hetimeve, Njësia C për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kavajë ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Kavajë për masën e sigurisë “Arrest në burg”për shtetasin:

A. S., 24 vjeç, banues në Gosë, Kavajë, me precedentë të mëparshëm kriminal, pasi dyshohet se ka konsumuar veprat penale “Falsifikimi kompjuterik” dhe “Kanosja për shkak të detyrës”.

Sipas materialit, policia kishte dyshime të arsyeshme se ky shtetas kishte hapur një numër të madh profilesh të rrjeteve sociale me të dhëna të rreme.

Nëpërmjet mesazheve që dërgonte nga këto profile të rrjeteve sociale kanoste në mënyrë të vazhdueshme punonjësin e policisë dhe familjarët e tij, për shkak të detyrës që ky punonjës kishte kryer.

Gjatë kontrollit të banesës dhe kontrollit të këtij shtetasi, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një telefon celular i markës “Samsung”.

Aktualisht po punohet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal dhe personat që mund të jenë të lidhur me këtë shtetas.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re