Tre të rinj u arrestuan në Vaun e Dejës pasi kërcënuan një person me kallashnikov. Autoritetet thonë se kërcënim është bërë për motive të dobëta, ndërsa gjatë aksionit janë sekuestruar dy armë zjarri kallshnikovë dhe një sasi municioni luftarak.

Njoftimi i Policisë: 

Finalizohet operacioni policor i koduar “Shkjeza”, i zhvilluar nga Forca e Posaçme “Shqiponja” dhe Komisariatit i Policisë Vau i Dejës. Kërcënuan me armë zjarri, një shtetas, për motive të dobëta, kapen dhe vihen në pranga 3 shtetas. Sekuestrohen 2 armë zjarri (kallashnikov dhe pushkë) dhe municion luftarak.

Gjatë këtij operacioni, u zbardhen 2 raste të shkatërrimit të pronës me zjarr (djegia e 4 automjeteve), të ndodhura në nëntor 2022 dhe në janar 2023, autorë të të cilave dyshohet se janë këta 3 shtetas.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit se në fshatin Shkjezë, Vau i Dejës, 3 shtetas po kërcënonin me armë zjarri, për motive të dobëta, një shtetas tjetër, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës kanë organizuar punën dhe në kuadër të operacionit policor të koduar “Shkjeza”, kanë ndërhyrë me qëllim parandalimin e një ngjarjeje të mundshme kriminale.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan shtetasit:

-A. P., 19 vjeç, A. C., 21 vjeç dhe E. U., 21 vjeç, të tre banues në fshatin Rranxë, Vau i Dejes.

Falë ndërhyrjes në kohë të shërbimeve të Policisë, u bë e mundur kapja në flagrancë e shtetasit A. P., i cili në bashkëpunim me 2 shtetasit e tjerë të arrestuar, po kërcënonte me armë zjarri (kallashnikov), për motive të dobëta, shtetasin G. F.

Gjatë kontrolleve, u gjet edhe një armë zjarri pushkë e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me armën e zjarrit kallashnikov të përdorur për kërcënimin, municion luftarak, një automjet dhe 3 celularë.

Në vijim të veprimeve proceduralo-hetimore në kuadër të operacionit policor “Shkjeza”, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi ligjor i dy rasteve të shkatërrimit të pronës me zjarr, nga këta tre shtetas, të cilët në datën 18 nëntor 2022, në fshatin Mjedë, kanë djegur 3 automjete, ndërsa në datën 10 janar 2023, në fshatin Kaçë, kanë djegur 1 automjet.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re