Ish-kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Kuçovës në zgjedhjet e 14 majit, Lefter Maliqi, i ftuar në studion e emisionit “Frontline” në News24 ka folur në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve të cilin e ka kundërshtuar masivisht.

Sipas Maliqit në ditën e zgjedhjeve është kryer një krim shtetëror dhe elektoral, teksa deklaroi se përgjatë ditëve të fushatës ka pasur ndërhyrje me kërcënime dhe intimidime për të ndikuar te votuesit.

Ai tregoi se në Kuçovë janë kapur njerëz me para që kanë tentuar të blejnë vota, ndërsa shtoi se autoritetet kanë ndërhyrë gjithashtu me urdhër politik ndaj tij.

Sa i përket ditës së zgjedhjeve Maliqi u shpreh se ka pasur kërcënime në çdo qendër votimi nga persona që sipas tij qarkullonin me një automjet luksoz.

Sakaq, ai komentoi edhe paraqitjen e ish-kryeministrit Berisha në këto zgjedhje, duke thënë se për të kjo garë elektorale është e fituar moralisht për shkak të kushteve të vështira ku u gjet ky i fundit dhe me demokratët e ndarë, ndërsa shtoi se Berisha duhet të largohet pasi të largoje kryeministrin Rama nga pushteti.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re