Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Arabisë Saudite që të “shpërndajë” një njësi elite saudite afër Princit të Kurorës Mohammed bin Salman, e cila tashmë është sanksionuar për rolin e saj në vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi.

“Ne i bëjmë thirrje Arabisë Saudite që të shpërndajë njësinë dhe të sjellë reforma sistematike institucionale dhe mekanizma kontrolli për të ndaluar plotësisht aktivitetet dhe operacionet kundër disidentëve,” u tha gazetarëve zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të SHBA, Ned Price.

Një raport i inteligjencës amerikane, i cili u deklasifikua dhe u botua të premten, akuzon trashëgimtarin e fuqishëm të fronit, ndryshe MBS, për “miratimin” e vrasjes së një gazetari saudit në 2 tetor 2018.

Masat shtesë

Por Uashingtoni nuk e sanksionoi Bin Salman, në mënyrë që të mos rrezikonte lidhjet me Riadin, por vendosi sanksione për ata që ishin përreth tij dhe Forcën e Reagimit të Shpejtë, një njësi elitare që e mbron atë, të akuzuar për përfshirje në vrasjen e Khashoggi në konsullatën saudite në Stamboll.

Duke iu përgjigjur kritikave për mungesën e sanksioneve kundër MBS, administrata e Joe Biden tha se donte të “ndryshonte rregullat” në marrëdhëniet me Arabinë Saudite në mënyrë që një vrasje e tillë të mos ndodhte më.

Price theksoi se Uashingtoni do të ishte “përqendruar në sjelljen e ardhshme të Arabisë Saudite” pas vrasjes së Khashoggi.

Ai gjithashtu u bëri thirrje autoriteteve saudite të bëjnë më shumë në fushën e të drejtave të njeriut.

“Ne i bëjmë thirrje Arabisë Saudite të marrë masa shtesë dhe të heqë ndalimin e udhëtimit”, për aktivistët e lëshuar së fundmi, tha Price.

Kritikë e mprehtë

Ai njoftoi se shitjet e ardhshme të armëve në Arabinë Saudite do të vlerësohen bazuar në interesat dhe vlerat e SHBA.

Presidenti Biden tha të shtunën se administrata e tij do të lëshojë një deklaratë mbi Arabinë Saudite të hënën, pas një raporti të inteligjencës amerikane që thotë se Princi MBS kishte miratuar vrasjen e Khashoggi.

Administrata e Biden është përballur me kritika, veçanërisht në një editorial të Washington Post, se presidenti duhej të ishte më i ashpër ndaj trashëgimtarit saudit të fronit, i cili nuk është ndëshkuar pavarësisht se është akuzuar për miratimin e vrasjes së Khashoggi.

I pyetur në lidhje me ndëshkimin e princit, sunduesit de facto të Arabisë Saudite, Biden tha të shtunën se “do të ketë një deklaratë të hënën në lidhje me atë që do të bëjmë me Arabinë Saudite në përgjithësi”.

Khashoggi jetoi në Shtetet e Bashkuara dhe shkroi kolona për Washington Post, në të cilat ai kritikoi ashpër politikat e princit MBS.

Asetet e ngrira

Ai u vra më 2 tetor 2018 në konsullatën saudite në Stamboll nga një ekip operativësh të lidhur me trashëgimtarin e fronit.

Trupi i tij thuhet se ishte copëtuar, por eshtrat nuk u gjetën kurrë.

Por Riadi mohon çdo përfshirje të MBS në likuidimin e Khashoggi.

Qeveria saudite e hodhi poshtë plotësisht raportin amerikan në të cilin trashëgimtari i fronit akuzohet se qëndron pas vrasjes.

Masat e marra nga SHBA të premten përfshijnë ndalimin e vizave për sauditët që besohet të jenë të përfshirë në vrasjen e Khashoggi dhe sanksionet kundër të tjerëve, duke përfshirë ngrirjen e pasurive në SHBA dhe ndalimin e firmave amerikane që bëjnë biznes me ta.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re