Avokatja e Popullit Erinda Ballanca ishte sot në Komisionin e Ligjeve, ku po diskutohet për projektbuxhetin e vitit 2022. Ballanca shtroi kërkesat për institucionin që ajo drejton.

Ajo kërkoi që të zgjerojë stafin e saj me të paktën një person, që do të merrej me adresimin e çështjeve klimaterike dhe me mbrojtjen e gjeneratave të ardhshme. Gjithashtu, Avokatja e Popullit kërkoi disa mjete të reja, pasi sipas saj ato ekzistuese janë amortizuar dhe kërkojnë shumë para për mirëmbajtjen e tyre.

Ballanca tha se lëvizin me mjete që janë të vitit ’99.

“Ministria e Financave nuk na akomodon fondin total, dhe kjo ka të bëjë kryesisht me pagat e komisionerëve, që kanë 2/3 e pagës së avokates së popullit. Është në kundërshtim me vetë ligjin. Çdo e drejtë që unë kam, ato duhet të kenë 2/3 e tyre.

Unë kam shënuar numrin total të stafit të avokatit të popullit, që janë 56 persona, përfshirë stafet mbështetëse.

Hera e fundit që Avokati i Popullit ka pasur një shtesë punonjësish në nivel teknik ka qenë në 2014. Kam bërë kërkesë në mënyrë të vazhdueshme rritjen e stafit, të paktën të kemi të shtuar një punonjës në nivel ndihmës komisioneri. AP është mbrojtës i mbrojtësve të të drejtave të njeriut.

Shtimi i një njeriu që do të trajtojë mbrojtën e të drejtave të njeriut, do të reflektohej dhe në progres raport, do të merrej me çështjen e ndryshimeve klimaterike, dhe mbrojtjen e gjeneratave të ardhshme.

Mund të kemi dhe rialokim të zërave të buxhetit.

Kërkesa e fundit është ajo për të përmirësuar punën e inspektimeve, mundësitë teknike nuk janë ato që duhet, lëvizim me automjete të viteve ’99 apo 2002.

Shpenzojmë shumë të ardhurave për mirëmbajtjen e tyre, sesa në rast se do të blinim një mjet me parametra më të mira. Jemi munduar që shumë nga çështjet ti zgjidhim me donatorë, duke u munduar që të mos prekim shifrën që na vjen nga buxheti i shtetit”, -deklaroi Ballanca.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re