Athina zyrtare shprehet e vendosur për të bllokuar integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, paralajmërin që vjen si pasojë e rritjes së tensioneve mes dy vendeve, pas arrestimit të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.

 

Mediat helenase shkruajnë se Greqia i ka dërguar një letër COREPER (Këshilli i Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të BE-së), ku shprehet se nuk do të japë pëlqimin për ecurinë e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë, nëse nuk do të të jetë zhvillime pozitive lidhur me betimin e Fredi Belerit.

 

 

“Tashmë në tetor, Greqia nuk ka pranuar dërgimin e letrës së “27”-ve për hapjen e një sërë Kapitujsh në pikënisjen e negociatave të anëtarësimit në BE me Shqipërinë”, shkruan Protothema.

 

Më 4 dhjetor, gjykata e Tiranës do të shqyrtojë kërkesën e Fredi Belerit për të bërë betimin si kryetar i zgjedhur për Bashkinë Himarë, kërkesë e cila është refuzuar disa herë nga organet e drejtësisë në vend.

 

“Gjyqi për këtë komplot, i cili ka dështuar pas pranimit të dëshmitarit kryesor të akuzës se ka pasur lidhje me policinë dhe është paguar nga fonde sekrete, pritet të vazhdojë më 5 dhjetor në Tiranë”, vijon artikulli i medias greke lidhur me gjyqin.

 

Sipas Athinës zyrtare, njëkohësisht dhe mediave greke, mbajtja në burg e Belerit dhunon brutalisht Shtetin e Ligjit në Shqipëri.

 

Megjithatë, Shqipëria e ka bërë të qartë qëndrimin e saj duke deklaruar se drejtësia është e pavarur nga politika dhe politikbërësit dhe ndaj ligjit çdo qytetar është i barabartë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re