Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar në lidhje me kërkesën e Grupit Parlamentar të PS-së për të përjashtuar nga Kuvendi 7 deputetë të opozitës, pas situatës së djeshme në seancë.

Berisha e ka cilësuar si veprim të turpshëm, ndërsa shprehet se do të marrë përgjigjen e merituar.

“Sot ky është një vendim i urdhëruar nga Edi Rama, i turpshëm dhe do ytë marrë përgjigje cdo vendim i turpshëm i marrë prej tyre. Kjo protestë nuk mund të ndalet dhe Edi Rama nuk do mund ta shuajë”, tha Berisha.

Kujtojmë se,  Grupi i PS-së kërkoi marrjen e masës disiplinore për ligjvënësit demokratë: Gazmend Bardhi, Bledion Nallbati, Flamur Noka, Edi Paloka, Albana Vokshi, Saimir Korreshi dhe Lefter Geshtenja.

Në shkresën drejtuar kryeparlamentares, shprehen se deputetët e opozitës bllokuan foltoren e Kuvendit, hoqën kartat nga pajisjet elektronike të deputetëve të Grupit Parlamentar të PS të cilët ishin të regjistruar për të diskutuar mbi çështjet e evidentuara nga zgjedhësit.

Në dokument thuhet se “Situata arriti deri në përplasje fizike midis deputetit Vullnet Sinaj dhe deputetit Bledion Nallbati”, ndërsa ngrihen akuza se deputeti i PD-së, Gazmend Bardhi ka tentuar të godiste Kryetaren e Kuvendit me shishen ujit, e cila ishte në foltore.

“Deputeti Gazmend Bardhi përveç veprimeve të mësipërme tentoi të godiste Kryetaren e Kuvendit me shishen ujit e cila ishte në foltore. Gjithashtu deputeti Bardhi gjatë kohës që deputetja e Partisë Socialiste Klodiana Spahiu u ngrit për të mbajtur fjalën e saj, ai i hoqi kartën nga pajisja elektronike duke i hequr kështu të drejtën për të folur”, deklaron grupi i PS-së.

Ata kërkuan marrjen e masës disiplinore ndaj 7 deputetëve dhe mbledhjen e Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën për vlerësimin e masësdisiplinore.

Kërkesa e plotë: 

E nderuar zonja Kryetare e Kuvendit,

Të gjendur përballë një situate të paprecedentë të zhvillimit të seancës plenare të datës 30.10.2023, ku deputetët e opozitës në thyerje të rëndë të Rregullores së Kuvendit dhe të Kodit të Sjelljes së Deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, bllokuan foltoren e Kuvendit, hoqën kartat nga pajisjet elektronike të deputetëve të Grupit Parlamentar të PS të cilët ishin të regjistruar për të diskutuar mbi çështjet e evidentuara nga zgjedhësit.

Situata arriti deri në përplasje fizike midis deputetit Vullnet Sinaj dhe deputetit Bledion Nallbati.

Deputetët Flamur Noka, Gazmend Bardhi, Bledion Nallbati, Edi Paloka, Albana Vokshi penguan zhvillimin normal të seancës plenare që në nisje të saj duke zaptuar foltoren, si dhe duke mos lejuar diskutantët e regjistruar të mbanin fjalën e tyre.

Deputeti Flamur Noka nuk lejoi asnjë deputet të regjistruar të mbante fjalën duke i’u afruar e penguar gjatë diskutimit. Gjithashtu deputeti Noka i hoqi kartën nga pajisja deputetit Ismet Beqiraj duke mos e lejuar që të përfundonte fjalën.

Deputeti Gazmend Bardhi përveç veprimeve të mësipërme tentoi të godiste Kryetaren e Kuvendit me shishen ujit e cila ishte në foltore. Gjithashtu deputeti Bardhi gjatë kohës që deputetja e Partisë Socialiste Klodiana Spahiu u ngrit për të mbajtur fjalën e saj, ai i hoqi kartën nga pajisja elektronike duke i hequr kështu të drejtën për të folur.

Deputeti Edi Paloka pengoi deputetët e Partisë Socialiste të mbanin fjalën e tyre, u bë pjesë e konfliktit mes deputetëve Nallbati dhe Sinaj duke debatuar, si dhe gjatë kohës që deputeti Bujar Çela po fliste i hoqi kartën nga pajisja elektronike duke i hequr të drejtën e fjalës.

Deputetja Albana Vokshi pengoi gjatë gjithë kohës zhvillimin normal të seancës plenare, si dhe gjatë kohës që deputeti Fadil Nasufi mori fjalën i hoqi kartën nga pajisja elektronike duke mos e lejuar të fliste.

Deputetet Saimir Korreshi dhe Lefter Geshtenja penguan zhvillimin normal të seancës duke bllokuar foltoren.

Sa më sipër, bazuar në nenin 63, pika 1 gërma d), dhe nenin 65/1 te Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe në nenin 3, gërma dh) dhe ë), nenin 8, pika 2 gërma b) dhe nenin 33 të Kodit të Sjelljes së Deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, paraqesim kërkesën si më poshtë:

– Marrjen e masës disiplinore ndaj deputetëve Gazmend Bardhi, Bledion Nallbati, Flamur Noka, Edi Paloka, Albana Vokshi, Saimir Korreshi dhe Lefter Geshtenja.

– Mbledhjen e Sekretariatit për Procedurat. Votimet dhe Etikën për vlerësimin e masësdisiplinore.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re