Avokati i Sali Berisha, Genc Gjokutaj thotë se gjykata nuk mund të aplikojë masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-kryeministrin për shkak të moshës.

Për emisionin “Opinion” Gjokutaj ka thënë se në procesin ndaj Berishës lidhur me çështjen e privatizimit të kompleksit “Partizani” kemi të bëjmë, sipas tij, me një paligjshmëri të madhe.

Në rast se SPAK cakton masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Berishan, Gjokutaj tha se nuk mund të ndalojë postimet në “Facebook” për sa kohë nuk cenojnë provat.

Pjese nga diskutimi:

Genc Gjokutaj: Sot u shqyrtua kërkesa e SPAK dhe kjo kërkesë pas pyetjes që i bëra prokurorit, ai tha që kërkojmë autorizim për të dyja masat, “arrest në burg” dhe “arrest në shtëpi” dhe më pas do të vlerësojmë nëse do të na japin autorizimin se cilën do të zgjedhim.

Pyetje: Nëse kërkon “arrestin e shtëpisë” dhe Berisha nuk e respekton, a kanë të drejtë të kalojnë në masën tjetër?

Genc Gjokutaj: Jo. Këtu është gabim parimor dhe ligjor i SPAK sepse duhet të vijë me një kërkesë të individualizuar se çfarë mase kërkon. Nuk mund të kërkojë SPAK 2-3 masa dhe pastaj të marrë autorizim për to. SPAK të zgjedhë cilën të përdorë. Ne kërkuam shtyrjen e kësaj seance sepse më 14 të këtij muaji 1/5 e deputetëve të PD-së kanë dërguar në Kushtetuese një kërkesë lidhur me thelbin e kësaj çështje. Kërkesa është në Kushteutese dhe ata që në datën 14 e kanë në tavolinë dhe nuk po njoftojnë se çfarë është bërë dhe do të bëhet sepse kërkohet dhe pezullimi i procedurës parlamentare derisa ta shqyrtojë Kushtetuesja.

Pyetje: Po nëse në 21 Dhjetor, parlamenti e aprovon autorizimin për kufizimin e lirisë së Berishës?

Genc Gjokutaj: SPAK nëse merr autorizimin, duhet t’i dërgohet gjykatës. Gjykata nuk mund të aplikojë “arrestin në burg” ndaj Berishës. Ligji nuk e lejon gjykatën që të aplikojë “arrestin me burg”.

Pyetje: A mund t’i ndalojë përdorimin e platformave sociale “arresti në shtëpi”?

Genc Gjokutaj: Ato nuk mund të ndalohen, qëndrimet politike nuk cënojnë procesin. I takon gjykatës që të vlerësojë rrethin e personave të cilët do t’i takojë. I ka të gjitha të drejtat. Problemi është që kjo procedurë nuk do të shkojë deri në fund sepse kemi të bëjmë me një paligjshmëri të madhe.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re