Gjykata e Posaçme rrëzoi ditën e sotme (11 dhjetor) kërkesën e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Belerit, për leje për tu betuar, ndonëse ndodhet ende në paraburgim.

I ashpër ka qenë reagimi i tij ndaj këtij vendimi, ndërsa është shprehur se ndaj tij po bëhet padrejtësi për hir të interesave politike.

Ai thotë se përmes drejtësisë së munguar, po ndahet edhe opinioni publik në shqiptarë dhe grekë.

Sa i takon reagimit nga pala greke, ai thekson se nuk duhet marrë si qëndrim personal, ndërsa shton se po shkaktohet reagim armiqësor mes palëve.

Në fjalimin e tij, ai renditi edhe gjyqtarët e arsyetimet e tyre lidhur me tërheqjen që ata kanë treguar nga çështja e tij.

Sipas Belerit, nga kjo dosje nuk mund të shpëtohet me procedurë.

Në fjalën e tij, ai kujdeset të theksojë se gjykimi i tij po zhvillohet “nën kërcënimet dhe direktivat publike të Kryeministrit.”

Fjala e plotë e Fredi Belerit:

Të nderuar Gjyqtarë!

Paraprakisht, bazuar në nenin 358 të Kodit të Procedurës Penale dua të deklaroj se zgjatja, shtyrja, përcjellja gjykatë më gjykatë, veprimet tuaja për shtyrjen e seancës duke ju lutur përfaqësuesit të burgut të verifikonte një shkresë që nuk e kishte, janë jashtë misionit dhe detyrës se Gjykatës për dhënien e drejtësisë dhe po shkaktojnë dëme jo vetem në nderin dhe personalitetin tim si Kryetar i zgjedhur i bashkisë Himarë por edhe në aspektin personal dhe familjar. Po shkaktoni një reagim të përgjithshëm armiqësor, po i detyroni njerëzit të ndahen në grekë e jo grekë, duke dëgjuar Kryeministrin dhe shpurën e tij çdo ditë, që e banalizojnë reagimin e Greqisë si personal.

Unë Fredi Beleri me ndërgjegje mora përsipër të kandidoj për kryetar bashkie në Himarë, pasi kisha testuar më parë besimin e bashkëqytetarëve të mi. Nuk e kisha parashikuar reagimin e Kryeministrit dhe nuk kisha asnjë përgatitje shpirtërore as unë, as familja ime, për të përballuar fjalorin e tij denigrues ndaj meje. Megjithatë mbështetja e bashkëqytetarëve të mi më dha forcë për të vazhduar. Janë një grup të rinjsh me besim te e ardhmja, që më kanë dhënë mbështetje gjatë fushatës dhe aktualisht, që jam i paraburgosur, është mbështetja e bashkëqytetarëve të mi, që më jep forcë të duroj qetësisht. Por, këto që po ndodhin në këtë gjykim vetëm po mbajnë me bukë analistë dhe të paditur por çakenj, dhe nuk i shërbejnë drejtësisë apo të përditshmes së shqiptarëve.

Drejtësi e vonuar është drejtësi e mohuar, dhe drejtësia duhet të duket se po bëhet, parime që ju i dini më mirë por nuk po i zbatoni. Që prej shtatorit po dëgjojmë çudira në këtë gjyq dhe gjyqtarët e reformuar që më kanë rastisur kanë frikë të shprehen për kërkesat e mia dhe gjejnë ca justifikime që po bëhen barcaleta. Një gjyqtare e posaçme shpiku nje dispozitë dhe e dërgoi në Durrës këtë çeshtje. Gjyqtar Bekteshi në Durrës jep doreheqjen se ka gjykuar shumë grekë dhe ky gjyqtar kam dëgjuar që do të shkojë në Gjykatë të Lartë. Ky gjyqtar i ndan njerëzit që gjykon në grekë dhe shqiptarë, në shekullin e 21-të, dhe e shkruan këtë mendim publikisht pa turp. Meqë ka gjykuar shumë “grekë” nuk gjykon çështjen time, por meqë ka gjykuar shumë shqiptarë, ky zoti Bekteshi pse nuk jep dorëheqjen nga detyra?! Gjyqtarja Garxenaj jep dorëheqjen për ndjenjat personale të saj për një ngjarje që ka ndodhur kur ajo ose nuk kishte lindur ose ka qënë motake, dhe nuk ka lidhje me gjykimin e kësaj çështjeje. Gjykata e lartë mezi e nxori datën e kësaj çështjeje pas disa kërkesave dhe nxori një vendim që nuk është shqip. Më në fund pas 4 muajsh xhiro nëpër gjykatat e reformuara, Juve i luteni drejtorit të burgut të shtyjë seancën të verifikojë në Postë kur ia kanë dhënë avokatit shkresën, kur ai vetë thotë që nuk ka si ta gjejë se nuk punon në Postë po në burg. Avokati thotë që keni zarfin në dosje ku jane vulat e postës.

Po pse me procedurë doni të shpëtoni nga kjo dosje??? Jeni gjykatë e posaçme, por nuk keni rregulla të posacme, ligji është i barabartë për të gjithë. Nuk kam kërkuar votën tuaj, por të banorëve të bashkisë Himarë dhe ata vendosin kush do t’i qeverisi, jo Kryeministri, jo juve. Duke e zvarritur çështjen vetem shtoni komentet, vetëm mbushni lajmet e ditës, por nga dhënia e vendimit nuk do të shpëtoni me zvarritjet tuaja. Tregoni kurajo si banorët e Himarës që nuk iu nënshtruan presionit, ju arrestuan kandidatin dhe e votuan, nuk u trembën. Kanë kaluar 8 muaj dhe në Himarë nuk po respektohet vullneti i zgjedhësve. Nuk e duan Jorgo Goron, por ju nuk jeni dakort, se Goron e do Kryeministri.

Nuk kërkoj përjashtimin tuaj, jo se kam besim tek ju, por të gjithë ju dhe ata që mund t`ju zëvendësojnë ju, jeni njëlloj. Gjyqtarja Davidhi e dërgoi në Durrës këtë çështje, për të mos dhënë vendim, gjyqtarja Gjoka e jep dorëheqjen nga një tjetër çështje e imja pas dy muajsh, kur duhet të jepte vendim brenda nje muaji, gjyqtari i posaçëm Kalaja, flet per vëllanë e tij që është patriot në një vendim timin, por se çfarë lidhje  kam unë me patriotizimin e tij nuk e ka shkruar. Ky gjyqtar shpiku rrethanë rënduese, më bën funksionar publik, duke e ditur qe nuk marr rrogë në shtet dhe nuk ka guxim Gjykata e Lartë t`i thojë që e ka gabim. Gjyqtari Pëllumbi e thote hapur ne vendim, ne paragrafin 30, 31, nuk ia zëvendësoj masën se po doli do behet kryetar bashkie, sikur punon në Kryeministri, jo në gjykatë. Ky gjyqtar ka dy muaj që mban zvarrë një kërkesë tjetër timen, që duhet të kishte dhënë vendim për 15 ditë. Gjeti mekanizmin ta cojë në Gjykatë Kushtetuese, t`ju japë juve të posaçmëve imunitet.

Nuk e di pse ky gjyqtar dhe gjyqtari Kalaja kanë pritur kërkesat e mia të kujtohen për të dërguar dosje në Gjykatën Kushtetuese, se edhe ai e filloi një rrugë të tillë.

Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm, që gjykimi po zhvillohet nën kërcënimet dhe direktivat publike të Kryeministrit. Fjalitë e tij.. “qe provat aty jane”, “i thashë drejtorit te policise do jete problem i madh nëqoftëse nuk dalin ashtu si thoni ju arsyet e arrestimit”, janë presion për Gjykatën Kushtetuese, fjalët “e si mundet dot te betohet Beleri kur ligji s`e lejon?” janë presion për juve. Nuk harron asnjë, nuk ka asnjë punë tjetër ky vend për Kryeministrin, vetëm të merret dhe të ndjekë seancat e mia dhe te jape vendimet për kërkesat e mia. Kryeministri e tha vendimin, ju duhet ta firmosni tashmë.

Kam pritur reagim nga Këshilli i Larte Gjyqësor, si ne raste te tjera, por siç duket nuk ka television ai institucion.

Jepni një vendim të nderuar gjyqtarë, tregoni integritet, megjithëse shumë me vonesë.

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re