“Ryanair” do të ofrojë 1,600 vende shtesë në fluturimet drejt dhe nga Varshava, për t’u ardhur në ndihmë tifozëve shqiptarë që do të udhëtojnë për ndeshjen play-off Poloni–Shqipëri, e vlefshme për kualifikimet e Kupës së Botës 2026, e cila do të zhvillohet më 26 mars 2026.

Për shkak të kërkesës së lartë, kompania ka programuar fluturime shtesë nga 25 deri më 27 mars e vitit të ardhshëm, duke zgjeruar kapacitetin e linjës Tiranë–Varshavë në ditët që përkojnë me udhëtimin e tifozëve drejt Polonisë dhe rikthimin e tyre pas ndeshjes.

Në njoftimin e saj, përfaqësuesja e Ryanair, Jade Kirwan, theksoi interesin e jashtëzakonshëm të publikut shqiptar për këtë sfidë vendimtare:

Ryanair ka shtuar 1,600 vende shtesë midis Tiranës dhe Varshavës për tifozët shqiptarë që udhëtojnë për ndeshjen Poloni–Shqipëri më 26 mars. Presim që këto vende të rezervohen shumë shpejt, ndaj mos humbisni kohë—vizitoni ryanair.com për të siguruar biletën tuaj sa më parë.”

Poloni–Shqipëri pritet të jetë një nga ndeshjet më të rëndësishme të viteve të fundit për Kombëtaren, që synon të sigurojë për herë të parë pjesëmarrjen në një Botëror.

LEXO EDHE: Hidhet shorti/ Shqipëria “peshkon” sërish Poloninë, Kosova përballë…

Interesi i tifozëve është rritur ndjeshëm që pas shortit të play-off-it, me një fluks të madh kërkesash për bileta udhëtimi drejt Polonisë.

Agjencitë e udhëtimeve thonë se kërkesa drejt Varshavës u rrit me mbi 300% vetëm gjatë 48 orëve të fundit, ndërsa agjencitë turistike po raportojnë paketat e para të shitura me kapacitet të plotë.

Shtimi i fluturimeve të Ryanair pritet të lehtësojë presionin dhe të garantojë më shumë mundësi për tifozët që duan të jenë të pranishëm në stadium.

Kompania irlandeze është tashmë një nga operatorët kryesorë në tregun shqiptar të transportit ajror, me kapacitete në rritje dhe çmime konkurruese që kanë transformuar ndjeshëm ofertën e udhëtimeve nga dhe drejt Tiranës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re