Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Hagës për dënimin me nga 45 vite burg për ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi për krime kundër njerëzimit.
“Më pyesin miq nga Prishtina pse nuk po shprehesh për mikun tënd që sot u ngarkua me 45 vjet burg në pretencën e prokurorisë së Hagës?!
Nuk po shprehem dot, pasi ende po mundohem ta gjej ku buron filli logjik që ka ndjekur prokuroria për të dalë me kërkesën për varrosje për së gjalli të katër burrave dhe si kurrë ndonjëherë, fjalët nuk më vijnë në ndihmë për t’u shprehur… Ndjesë, më duhet kohë ta gëlltis gjithë atë mal me m** që nxorri sot ajo prokurori në zemër të Europës demokratike“, shkruan Rama.
LEXO EDHE: “Ashpërsi e njëanshme”/ Prokuroria kërkon 180 vjet burg për ish-krerët e UÇK, Spiropali: Po e ndjekim me shqetësim të thellë
Në Hagë po vijon procesi i radhës kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi, të cilët janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Gjatë seancës së sotme, Prokurorja e Specializuar, Kimberly West e ka nisur fjalën e saj duke thënë se Gjykata Speciale është bërë “trup funksional, i suksesshëm në një periudhë relativisht të shkurtër”.
“Pavarësisht frikës, stigmës dhe situatave me të cilat janë përballur dëshmitarët dhe familjarët e tyre nga një grup i kufizuar, por me zë, në Kosovë, këta dëshmitarë e kanë dëshiruar kaq shumë të vërtetën që të dalë në pah, prandaj pavarësisht kësaj kanë përzgjedhur të bashkëpunojnë me zyrën time dhe të japin dëshmi para kësaj gjykate”.
Ajo ka pretenduar se 100 persona janë vrarë dhe qindra tjerë janë abuzuar, në dhe rreth 50 plus kampeve të ndalimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Prokurorja West ka thënë se nuk kërkohet dënim për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, por për personat e akuzuar, duke kërkuar 45 vjet burgim.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkon vendim dënimi për të gjitha pikat e aktakuzës dhe një vendim të vetëm prej 45 viteve, mbështetur në kontributet individuale të krimeve të kryera nga secili prej personave, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Këto janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, janë të rënda dhe këto akuza nuk e kanë humbur vlerën e tyre me kalimin e kohës”.



