Ish-kryeministrit Sali Berisha i është refuzuar kërkesa për të marrë pjesë në seancat plenare. Disa ditë më parë, përmes avokatëve, Berisha bëri një kërkesë për të dalë nga arresti i shtëpisë dhe për të marrë pjesë në Kuvend, por kjo nuk është pranuar nga Prokuroria e Posaçme.

“Personi nën hetim Sali Berisha(i përfaqësuar nga mbrojtësit e tij Sokol Mëngjesi dhe Genci Gjokutaj) ka depozituar në datën 15.01.2024 një kërkesë me anën e së cilës kërkonte lejimin e tij për të marrë pjesë në seancat plenare të Kuvendit, në cilësinë e deputetit. Pasi janë njohur me përmbajtjen e kësaj kërkese, me vendimin e datës 18.01.2024 Prokurorët kanë vendosur mospranimin e saj”, thuhet ne njoftim.

KERKESA E AVOKATEVE

Avokatët e tij iu drejtuan me një kërkesë prokurorëve të SPAK duke theksuar se kjo është një e drejtë kushtetutes. Një tjetër argument që shoqëron këtë kërkesë është fakti se ndaj Sali Berishës nuk ka një vendim të formës së prerë.

“Në kushtet kur Sali Berisha është deputet i Kuvendit, i zgjedhur nga sovrani, është e domosdoshme që të ushtrojë funksionet e tij si Deputet i Kuvendit. Për këtë arsye duke qënë se ju jeni organ procedues, kërkojmë nga ana juaj miratimin dhe dhënien e lejes që z. Berisha në mënyrën dhe kohën që është aboslutisht e domosdoshme të shkojë, të marrë pjesë dhe të ushtrojë funksionet e tij në seancat plenare të Kuvendit në përmbushje të të drejtave lirive politike të parashikuara nga Kushtetuta e vendit, por edhe të përmbushë detyrimet e veta kundrejt elektoratit që e ka zgjedhur.”

Kujtojmë që ish-kryeministri Sali Berisha është thirrur nga SPAK për t’u marrë në pyetje në datën 23 janar ora 10:00.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re