GJKKO ka lënë në fuqi masën e sigurisë për Nezar Seiti, i njohur si “financieri i Habilajve”.
Nezar Seiti
Nezar Seiti kishte paraqitur më 31 tetor 2024 kërkesën zëvendësimin e masës së sigurimit, por GJKKO e rrëzoi.
Njoftimi i GJKKO:
Kërkuesi Nezar Seiti me datë 31.10.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Zëvendësimin e masës së sigurimit”.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtaret Elsa Ulliri, Rudina Palloj dhe Luljeta Kole, bazuar në nenin 260 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 620, datë 07.11.2024, vendosi:
Rrëzimin e kërkesës.
Shpenzimet gjyqësore siç janë bërë.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për
Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 ditëve duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit. Tiranë, më datë 07.11.2024 Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar
Kush është Nezar Seiti dhe lidhja me Habilajt
Nezar Seiti njihet si bashkëpunëtori i ngushtë i Moisi Habilajt dhe akuzohet si i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës që kryente grupi kriminal.
Në dëshminë e dhënë pas marrjes në pyetje në nëntor 2017 nga Prokuroria për Krimet e Rënda, që kishin siguruar dosjen e Nezar Seitit të ardhur nga Prokuroria e Katanias, ai kishte pranuar para prokurorëve se kishte lidhje krushqie me Habilajt, pasi e shoqja e tij i ka kushërinj.
Gjithashtu, ai ka thënë se ka udhëtuar shpesh drejt Italisë në kërkim të punëve të ndryshme, dhe se kthehej shpesh në Shqipëri për të parë prindërit e moshuar, që banojnë në Vlorë. Por, lidhur me trafikun e drogës dhe rolin e tij si bashkëpunëtor i Moisi Habilajt, Nezar Seiti nuk ka preferuar të japë shpjegime.
Ai kërkoi në atë kohë që të gjykohej në shtetin fqinj, ku ishin ngritur akuzat ndaj tij, duke i thënë “po” ekstradimit. Nezar Seiti u ekstradua në Itali në janar 2018.
Financieri i Habilajve, Nezar Seiti u arrestua sërish në qershor 2022 së bashku me shqiptarin tjetër Meridian Sulaj si edhe 3 shtetas italianë, Angelo Busacca, Antonino Riela dhe Vincenzo Spampinato, pjesë e grupit kriminal të drejtuar nga Moisi Habilaj me vendim të Gjykatës së Apelit në Katania.
Ata u shpallën fajtorë dhe dënuan me rreth 42 vite burg në total për trafik droge dhe armësh nga Shqipëria në Itali.
Meridian Sulaj u dënua me 8 vjet burg, Busacca me rreth 7 vjet burgim, Riela u dënua me 14 vjet e 8 muaj burgim, Nezar Seiti u dënua me 6 vjet e 8 muaj burgim, Spampinato u dënua me 9 vjet burg.
Hetimet nga Guardia di Finanza çuan në sekuestrimin e rreth 3.5 tonë marjiuanë, automatikë kallashnikov dhe arrestimin në flagrancë të 24 korrierëve të drogës.
Nga ana tjetër, Moisi Habilaj, i dënuar me 15 vite burg, është në kërkim pasi u arratis nga arresti shtëpiak ku e kishte lënë gjykata italiane.
Dënimi nga GJKKO
Por, ndërkohë që u dënuan në Itali tjetër proces vijonte në Shqipëri në Gjykatën e Posaçme të Apelit për “Habilajt”.
GJKKO me një vendim të datës 18 Maj 2021 ka dhënë dënimet për grupin e Habilajve, anëtarët e të cilit janë dënuar për disa vepra penale si trafik droge, grup të strukturuar.
Moisi Habilaj është dënuar me 10 vite burg, ndërsa Nazer Seitaj është dënuar me 9 vite burg. Po me 9 vite burg janë dënuar edhe dy anëtarë të tjerë të grupit, shtetasit Fatmir Minaj dhe Meridian Sulaj. Ata dënohen gjithsej me 37 vite burg.
Grupi kriminal i drejtuar dhe i organizuar nga vëllezërit Habilaj ka trafikuar nga brigjet shqiptare drejt atyre italiane rreth 30 tonë kanabis sativa për 4 vite. Në këtë konkluzion kanë dalë hetuesit italianë, të cilët shkruajnë se kjo bandë xhironte në treg 300 mln euro.
Gjatë bisedave të përgjuara dhe të bëra publike tashmë nga gjykata e Katanias, anëtarët e këtij grupi shqetësohen për të siguruar mjete të shpejeta lundrue me tre motor, të cilët konsiderohen edhe si gomone oqeanike.
Konfiskimi i pasurive të Moisi Habilajt
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me një vendim të datën 18 qershor 2021, ka konfiskuar pasuritë e Moisi Habilajt dhe familjarëve të tij.
“Panorama” publikon listën e pasurive të paluajtshme në zotërim të Mosi Habilajt, Florian Habilajt dhe familjarëve të tyre, që Prokuroria e Posaçme, SPAK, në përfundim të procesit gjyqësor pasuror bazuar në ligjin antimafia ka kërkuar që të konfiskohen.
Sipas SPAK, pasuria e konfiskuar kap vlerën e 82 440 285 (tetëdhjetë e dy milionë e katërqind e dyzet mijë e dyqind e tetëdhjetë e pesë) lekë të reja, të ndodhura në Vlorë.
Mbi grupin që drejtonte Habilaj, rëndojnë akuzat për veprat penale ‘trafikim i narkotikëve’ në tentativë kryer në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal’ dhe ‘Grup i strukturuar kriminal’.