Pas shpalljes së pretencës nga SPAK për çështjen e sterilizimit, ka nisur faza e mbrojtjes për të pandehurit që kanë përfituar nga gjykimi i shkurtuar. Çështja e tyre është veçuar nga ajo e ish-ministrit Ilir Beqaj.
Gjatë mbrojtjes së tij në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), Saimir Kadiu – ish-drejtor ekonomik në Ministrinë e Shëndetësisë – ka kërkuar shpalljen e pafajësisë, duke deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me shkeljet që pretendon SPAK.
Në përpjekje për të ilustruar pozicionin e tij, ai tregoi edhe një anekdotë:
“Lexova një anekdotë para disa ditësh: mori flakë pylli dhe të gjitha kafshët u mblodhën. Thanë se Zoti po na ndëshkon për mëkatet tona. Luani tha: ‘Unë kam ngrënë shumë prej jush’. Ujku dhe dhelpra pranuan fajin e tyre po ashtu. Pastaj foli gomari dhe tha: ‘Pashë një lëndinë me bar të gjelbër dhe vajta e hëngra’. Të gjitha kafshët thanë: ‘Ky është gabimi më i rëndë’, dhe e dënuan gomarin.”
I pyetur nga gjykata përse tregoi këtë histori, Kadiu tha:
“Kërkoj të mos jem unë gomari.”
