I dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, kanë “potencial të shndërrohen në konflikt rajonal”.

Këto deklarata ai i bëri në një debat të zhvilluar nga Këshilli i Atlantikut në Uashington, së bashku me të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Draft-statuti i Ramës, “propozim serioz”

Sa i përket themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, dy zyrtarët perëndimorë thanë se themelimi i tij është obligim ndërkombëtar i Kosovës, që duhet të bëhet në bazë të Kushtetutës së Kosovës.

“Besoj te BE-ja, te modelet evropiane. Duam që bashkërisht të hartojmë statutin, që do të bazohej në modelet më të mira evropiane. Ne kemi analizuar 16 modele evropiane. Të sigurohemi që të krijojmë diçka që nuk është një përbindësh por që funksionon për Kosovën dhe Serbinë”, tha Lajçak.

Ndërkaq, Escobar tha se SHBA-ja përkrah një asociacion që nuk shkakton probleme në funksionimin e shtetit.

Të pyetur se cila është mënyra përpara për të dyja palët, zyrtarët perëndimorë thanë se Kosova dhe Serbia duhet të respektojnë obligimet e tyre të dala nga dialogu.

Escobar tha se është e rëndësishme që të ketë zbatim të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve – të arritur në shkurt në Bruksel dhe më pas Aneksi për zbatimin e saj në mars në Ohër – përmes së cilit Serbia, veç tjerash, do të njihte simbolet e Kosovës dhe të drejtën e saj për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Ndërkaq, për Kosovën ai tha se është e rëndësishme që të nisë “menjëherë dhe urgjentisht bisedimet për themelimin e Asociacionit”.

Që të dy zyrtarët e cilësuan si “propozim serioz” draft-statutin që kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për Asociacionin. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë më 8 qershor, se ua ka dërguar një draft për Asociacionin, presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz. Rama ka thënë se dokumenti është konfidencial, por është shprehur i bindur se është “një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe që Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës për Kosovën”./rel

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re