Më shumë sesa Shqipëria që e mirëpriti, duket se mediat greke i kanë bërë më shumë jehonë vizitës së Presidentit turk Erdogan në vendin tonë.

E përditshmja greke “Kathimerini” nxjerr në pah faktin se Presidenti Turk kreu vizitën e parë zyrtare jashtë vendit të tij në Shqipëri.

Për një vizitë simbolike në Shqipëri në një atmosferë tepër të ngrohtë ku Presidenti turk ka përuruar projekte të financuara nga Turqia, bën fjalë artikulli i së përditshmes “Kathimerini”.

Theksohet fakti që është vizita e parë zyrtare për këtë vit jashtë vendit, i shoqëruar nga zyrtarët më të lartë të kabinetit, ndërsa përshkruhen 7 marrëveshjet tregtare, arsimore dhe ushtarake që nënshkroi me Kryeministrin shqiptar.

Televizioni privat “Open” i ka kushtuar një kronikë të gjatë vizitës duke theksuar se Erdogan kërkon aleatë dhe mbërrin në Tiranë me dhurata dhe premtime.

Sipas kronikës televizive, ai kërkon të luajë rolin e mbrojtësit të shteteve të Ballkanit, por nga ana tjetër, nismat e solidaritetit nuk janë pa kompromis, pasi pas tyre qëndron zgjerimi i ndikimit turk në Shqipëri.

Edhe gazeta “Protothema” në artikullin e titulluar “Çfarë bëri Erdogani në Shqipëri”, u vë theksin lavdërimeve të Kryeministrit shqiptar ndaj Erdoganit, duke veçuar shprehjen “Nuk ka shumë njerëz si ai në politikën ndërkombëtare.

Ai bën atë që thotë dhe thotë atë që bën”. Madje, duke krahasuar me periudhën e Perandorisë Osmane, “Protothema” karakterizon Edi Ramën si një pasha lokal dhe Erdoganin si një sulltan të plotfuqishëm.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re