Presidenti Thaçit ka “humbur” një nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt, Xhavit Halitin, nënkryetar i Kuvendit nga PDK, në përpjekje për të “fituar” Luginën, në promovomin e idesë së tij për korrigjim kufijsh me Serbinë.

Ai thotë se çështja e bashkimit të Luginës me Kosovën, siç po insiston Thaçi, nuk do të duhej të hapej nga pala kosovare.

“Unë jam që të mos hapet kjo çështje, sepse kam frikë që do të ketë pasoja për Kosovën nëse kërkon diçka e tillë dhe nuk pranohet. Kjo do të ishte dështim. Ne duhet të insistojmë që Kosova të jetë anëtare e OKB-së, duhet ta bëjmë demarkimin e kufirit me Serbinë. Kur t’i vendosim kufijtë, të njohur edhe nga vetë Serbia, por edhe nga OKB-ja, atëherë neve nuk do të na pengojë asgjë që të bisedojmë pastaj me shtetin serb për interesat që i kemi të dyja palët”, ka thënë Haliti në një intervistë për Zëri-in.

Ndërkaq, në një intervistë për RTV Dukagjini-n ditë më parë, Thaçi deklaroi se në shtator zyrtarisht do ta prezantojë idenë e bashkimit të Luginës me Kosovën.

“Besoj nga shtatori do të ketë diskutim të hapur për këtë çështje, por gjithçka do të jetë transparente, unë do të flasë me qytetarët e Kosovës  si dhe do të shqyrtoj seriozisht që për këtë çështje qytetarët të deklarohen me pyetjen në rast janë në favor të bashkimit të Luginës me Kosovën”, theksoi kreu i shtetit kosovar.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re