Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo denoncoi qeverinë se në këtë situatë krize të çmimeve të karburanteve dhe të ushqimeve nuk po merr asnjë masë për të lehtësuar familjet shqiptare dhe konsumatorët, duke fituar në mënyrë të padrejtë, duke mos i shpërndarë ato të ardhura siç vepron BE apo vende të tjera të botës në këtë situatë.
Ai deklaroi se aktualisht Shqipëria nuk ka asnjë rezervë sigurie dhe nëse kriza zgjat më shumë, vendi rrezikon kolapsin.
“Të gjitha vendet kanë mundësuar masa lehtësuese, vetëm Shqipëria jo. Vihet re një rritje e inflacionit kohët e fundit, Nga rritja e çmimeve bazë e kryesore fiton vetëm qeveria. E kuptoj që Edi Rama nuk do ta fusë dorën në xhep, se kryeministri thotë vrisni veten, nuk ndihmoj, por nga ana tjetër e medaljes ti po fiton më shumë. Pra përveç të ardhurave të tua që i ke marrë sipas planifikimit të buxhetit të shtetit, ti fiton edhe ca të ardhura shtesë dhe ato mund t’ia kthesh mbrapsht qytetarëve, familjeve apo bizneseve, meqë je edhe qeveri socialiste. Kemi parasysh edhe periudhën e pandemisë së COVID-it ku çmimi i energjisë u rrit ndjeshëm në shumë vende përfshi edhe Shqipërinë. Pra ti ke fituar, nëse rriten çmimet dhe ti fitove më shumë nuk është merita jote. Kjo është për rrethanat, këto fitime nuk të takojnë ty, i takojnë qeverisë dhe ajo duhet të bëjë një shpërndarje të këtyre të ardhurave. Pse nuk e bën qeveria? Sepse nuk do!”
Bozdo u shpreh se opozita dhe PD ka dorëzuar të paktën 3 propozime në Kuvend për ulje të çmimeve të karburanteve dhe të taksave apo akcizës së naftës, por janë refuzuar nga mazhoranca dhe qeveria. Megjithatë deputeti demokrat u shpreh se do vazhdojnë të këmbëngulin në ndihmë të qytetarëve shqiptarë.
“Unë kam bërë propozime edhe javën e kaluar, kemi çuar tre projektligje në Kuvend, por nuk duan. Heqja e taksës së qarkullimit, ulja e akcizës apo e çmimit të gazit, por këto kanë rënë në vesh të shurdhër. Por ne do këmbëngulim, do vazhdojmë, do kërkojmë nëpërmjet seancave e mbledhjeve, është vullneti i qeverisë do apo s’do, ne do këmbëngulim. Kriza vazhdon”, vijoi ai.
Deputeti tha se deri tani qeveria nuk ma marrë asnjë masë dhe Bordi i Transparencës nuk shërben si i tillë në funksion. Dhe kjo ndodh sepse vetë kryeministri nuk ka vullnet dhe nuk dëshiron të ndihmojë.
“Deri tani nuk ka asnjë masë nga qeveria, Bordi i Transparencës nuk ëhstë masë, por një bord që merret me një mënyrë tjetër, vepron ndryshe. A ka masa që prekin familjet në nevojë, me ndihmën ekonomike, ka masë për fermerët apo industrinë e naftës, jo vetëm s’ka masa për fermerët, por ka antimasë për heqjen e naftës pa akcizë, Rama tha nuk përdoret në asnjë vend por ajo përdoret në shumë vende, por Rama nuk do. Për çfarë paguhen taksat, për ofrime shërbimesh, pse e bën BE e s’e bëjmë ne, pse e bëjnë vendet e botës, por ne jo”, nënvizoi deputeti i PD.
Bozdo denoncoi se Shqipëria nuk ka as rezerva sigurie, ato që kërkon BE-ja në situata emergjente apo kohë pandemie.
“E dini që Shqipëria nuk ka asnjë rezervë sigurie për naftën e të tjera, nuk ka asgjë. Nëse BE thotë lironi rezervën e sigurisë, ne nuk kemi, nuk ka asgjë, jemi me duart lart, sepse askush nuk merr masa. Dhe kriza mund të vazhdojë, nuk dihet se kur do mbarojë. Po nëse lufta do të zgjasë, nëse kriza do vijojë, do jepen urdhra për masa të tjera, përfshi edhe Shqipërinë. Do ulen furnizimet me naftë që është kryesorja në të gjitha sektorët, aviacioni, mjetet, sektorët, do të ketë edhe shkurtime e kështu me radhë”, tha ai.
