Skip to content

“Kërrcet plumbi! Të ikën koka”/ Berisha e zbulon: Vlora Hyseni ka qenë në vilën e Agasit. Kam foto ku…

51ad8029 2106 42b8 9563 8cf441304226

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është shprehur se kryeministri Edi Rama, Vlora Hyseni dhe Ergys Agasi janë takuar së bashku në vilën e biznesmenit.

Sipas Berishës, takimet mes Ramës, Hysenit dhe Agasit janë zhvilluar në vilën e këtij të fundit, për të cilën ai tha se ekzistojnë dëshmi se Rama ka pasur rol në projektimin e interierit.

“Rama, Vlora Hyseni dhe Ergys Agasi janë takuar të tre së bashku tek vila e kuqe. Takimet me Ergysin dhe Vlora Hysenin i kanë bërë në vilën e Ergys Agasit, në të cilën Edi Rama, sipas dëshmitarëve, ka qenë arkitekt i interierit të saj, i brendësisë së saj”, tha Berisha.

Ai shtoi se ka pasur edhe pretendime se vila mund të jetë në fakt e lidhur me kryeministrin, por theksoi se nuk mund ta konfirmojë këtë.

Berisha deklaroi gjithashtu se ka marrë nga persona që i cilësoi si “qytetarë dixhitalë” një fotografi, e cila, sipas tij, tregon Vlora Hysenin duke hyrë në banesën e Ergys Agasit.

“Dua ta them këtu, qytetarë dixhitalë më kanë dërguar mua fotografinë e Vlorë Hysenit duke hyrë në banesën e Ergys Agasit, në vilën e tij. Nuk e kam publikuar sepse nuk doja të hyja në çështje personale”, u shpreh kreu i PD-së.

Berisha pretendoi se deklarimet e Hysenit se nuk është takuar me Agasin nuk përputhen me informacionin që ai thotë se disponon.

“Ajo është takuar dhe fotografia më është dërguar nga qytetarë dixhitalë. Kjo është realiteti”, tha Berisha, duke shtuar se po i referohej vilës dhe jo zyrës së Agasit.

Në vijim, kreu i PD-së bëri edhe akuza të tjera ndaj Agasit, duke pretenduar se ai përdorte kërcënime me vrasje ndaj personave të ndryshëm.

“Ergysi në telefonat e tij kërcënonte me vrasje. U thoshte: ‘Kërcet plumbi, ty të merret koka’”, deklaroi Berisha.

Sa i përket Hysenit, Berisha pretendoi se ajo kishte ndërhyrë për të ndikuar mbi aktivitetet e Agasit, duke përdorur funksionin që kishte në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit. Ai e kritikoi ashpër për mënyrën se si, sipas tij, ka ushtruar detyrën.

“Edi Rama thotë kanë qenë aleatë. Po kjo është një tradhtare e keqe e aleatëve, e shqiptarëve në radhë të parë, e flamurit të vet në radhë të parë, e misionit e detyrës. Kjo është në analet e turpit botëror, shefe e shërbimit që duhet të dëshmonte integritetin më të lartë në detyrë”, tha Berisha.