Skip to content

“Kësaj qeverie po i shkulen themelet, fundin e ka shpejt!” – Kapri: Rama po shfaqet si autokrat para Perëndimit! Është delegjitimuar nga populli

Deputeti i Partisë “Mundësia”, Erald Kapri, ka folur në studion e programit të drekës në News24 lidhur me situatën politike në vend, duke u ndalur te protestat masive kundër kryeministrit Edi Rama që vijojnë prej 47 ditësh. Sipas Kaprit, kjo është protesta më e madhe që ka ndodhur ndonjëherë në vend dhe po lëkund seriozisht themelet e qeverisë, pavarësisht përpjekjeve të mazhorancës për ta delegjitimuar atë.

Kapri kritikiroi rrethimin e Parlamentit me forca të shumta policore, duke u shprehur se kjo pamje jep përshtypjen e gabuar sikur vendi ndodhet në gjendje lufte. Megjithatë, ai theksoi se opozita nuk duhet ta braktisë parlamentin, por ta përdorë atë si arenë për t’ia përplasur në fytyrë qeverisë të gjitha dështimet.

“Ky parlament e ka humbur legjitimitetin, legjitimiteti është në shesh. Shoqëria shqiptare po kërkon largimin e Ramës dhe një ndryshim sistemi. Rrethimi i parlamentit me polici, edhe kur nuk ka protestues, është i turpshëm. Ne nuk mund të lëmë hapësira bosh, aty kemi mundësi t’ia plasim në fytyrë keqqeverisjen”, deklaroi deputeti Kapri.

Sipas deputetit të Partisë “Mundësia”, bilanci i këtij viti të mandatit qeverisës është i mbushur me skandale korrupsioni, duke përmendur rastet në AKSHI, ministrinë e Belinda Ballukut dhe ndryshimet e shpeshta në kabinetin qeveritar, të cilat çuan popullin në shesh.

Kapri nënvizoi se kjo qëndresë qytetare po e nxjerr zbuluar kryeministrin para partnerëve ndërkombëtarë:

“Populli po i tregon Perëndimit se Rama është një autokrat që po sundon përmes një grushti të vogël njerëzish popullin më të varfër në Evropë. Kjo protestë po e zhvesh Ramën në sytë e perëndimorëve. Ai mund ta shtyjë pak në kohë dorëheqjen, por vetëm do të gërryhet politikisht. Fundin e kanë të shpejtë dhe po marrin urrejtjen e shqiptarëve”, përfundoi Erald Kapri.