Si shkak i rënies së temperaturave, dhimbjet e fytit bëhen më të shpeshta gjatë kësaj periudhe. Krahas trajtimeve specifike mjekësore, janë edhe një sërë këshillash të thjeshta praktike që mund të zbatojmë gjatë përditshmërisë për të lehtësuar simptomat e shkaktuara nga dhimbjet e fytit. Konkretisht, bluzat e bardha të QSUT-së thonë se kur kemi të bëjmë me dhimbje të fytit, duhet që të konsumohen sa më shumë lëngje. Kjo pasi hidratimi i mirë i organizimit, ndihmon në uljen e viskozitetit të mukusit nëpër rrugët e frymëmarrjes, duke siguruar kështu edhe pastrimin më të lehtë të tij.
Një tjetër rekomandim për këto raste ka të bëjë edhe me përdorimin e gargarave me ujë të ngrohtë dhe kripë. Për këtë mjafton të merrni rreth 240 mililitra ujë të ngrohtë, të shtoni në të një të dytën e lugës së çajit me kripë. Kjo përbërje ndihmon në zbutjen dhe pastrimin e mukusit të mbledhur në rrugët respiratore.
Ndihmë në qetësimin e këtyre dhimbjeve jep edhe përdorimi i tabletave të ndryshme, apo karameleve, të cilat duhet të jenë pa përmbajtje sheqeri. Këto të fundit ndihmojnë në çlirimin e fytit, duke qenë se stimulojnë sekretimin e pështymës, e cila më pas ndihmon në shpëlarjen e fytit.
Për shumë pacientë shfaqet i nevojshëm edhe përdorimi i qetësuesve të dhimbjeve. Konkretisht, bëhet fjalë për qetësuesit analgjezikë, siç janë paracetamoli ose ibuprofeni, që ndihmojnë në lehtësimin e dhimbjeve të fytit gjatë përcjelljes.
Duhet të bëni kujdes edhe me zërin. Në rastet kur ju jeni me laringit duhet që të mos flisni shumë, pasi në të kundërt mund të shkoni deri në humbje të përkohshme të zërit tuaj. Po ashtu edhe shmangia e ndotësve të ajrit, luan një rol të rëndësishëm në lehtësimin dhe kalimin më të shpejtë të dhimbjeve të fytit. Këshillohet që të mos konsumoni duhan gjatë kësaj kohe, si dhe të mos qëndroni në ambiente që janë të mbytura nga tymi, apo gazra të tjerë ndotës.
Duhet të bëni kujdes edhe me lagështirën dhe thatësinë e ambientit. Ajri nuk duhet të jetë shumë i thatë. Duke ajrosur ambientet herë pas here, si dhe duke mbajtur lagështirën në nivelin e duhur, ndihmoni në parandalimin e tharjes së mukozës në rrugët e frymëmarrjes.
Nëse dhimbja e fytit zgjat për shumë ditë, atëherë duhet të paraqiteni detyrimisht tek një mjek specialist për të marrë medikamentet e nevojshme për lehtësimin e dhimbjeve të forta të fytit. Vlen të përmendet se përdorimi i antibiotikëve duhet të nisë vetëm pasi të jetë përshkruar në recetë nga mjeku specialist, e jo duke shkuar direkt e në farmaci, sikundër ndodh rëndom.
Për të lehtësuar dhimbjet e fytit duhet:1. Të konsumoni sa më shumë lëngje, hidratimi ndihmon në pastrimin e rrugëve të frymëmarrjes.
2. Përdorni gargara me ujë të ngrohtë për të zbutur dhe pastruar mukozën në rrugët respiratore.
3. Përdorni tableta freskuese, ose çamçakëzë pa sheqer.
4. Duhet të përdorni analgjezikët për të qetësuar dhimbjet.
5. Kujdesuni për lagështirën që mund të keni ambienti.
6. Kujdesuni për zërin tuaj, veçanërisht nëse jeni me laringit.
7. Shmangni ndotësit e ajrit, si dhe konsumin e duhanit.
8. Antibiotikët duhen përdorur vetëm sipas recetës së përshkruar nga mjeku specialist.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re