Kreu i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, përsëriti në një darkë pune në Bruksel për liderët e Ballkanit Perëndimor se është e rëndësishme të koordinohet një politikë e përbashkët e jashtme dhe e sigurisë, “si një element qendror i rrugës evropiane”.

Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor kanë riafirmuar angazhimin e tyre strategjik për integrimin evropian dhe mbështetjen për bashkëpunimin rajonal, tha Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (EEAS).

Fokusi i darkës së punës thuhet se ishte në “ndikimin global dhe rajonal të luftës së paligjshme dhe të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës dhe popullit të saj” dhe se si BE-ja dhe partnerët e Ballkanit Perëndimor mund “të trajtojnë së bashku efektet e dëmshme të kësaj lufte në çmimet e ushqimeve dhe energjinë dhe stabilitetin rajonal dhe global.”

Masat kufizuese të Bashkimit Evropian

“Përfaqësuesi i Lartë Borrell përshëndeti mbështetjen e plotë të partnerëve të Ballkanit Perëndimor në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për rezolutat mbi agresionin e Rusisë kundër Ukrainës. Përfaqësuesi i Lartë i informoi udhëheqësit mbi përgjigjen e BE-së në mbështetje të Ukrainës, duke përfshirë masat kufizuese të BE-së që synojnë kufizimin e aftësisë së Kremlinit për të financuar luftën. Ai ritheksoi rëndësinë e harmonizimit të politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, si një element qendror i rrugës evropiane”, thuhet në një deklaratë të EEAS.

BE-ja shton se një takim mbi situatën në rajon dhe një shkëmbim jozyrtar i pikëpamjeve me ministrat e jashtëm të Ballkanit Perëndimor do të mbahet në një takim të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së në Bruksel më 13 maj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re