Skip to content

Këshilli i BE miraton propozimin për vendet e treta të sigurta/ Prestigjozja italiane: Qendra në Shqipëri drejt zhbllokimit

Ka marrë formë marrëveshja për rregulloren e re të riatdhesimeve dhe është përcaktuar lista e vendeve të sigurta. Dhe pikërisht këtë priste ministri italian i Brendshëm, Matteo Piantedosi, i cili këtë të hënë, 8 dhjetor, ndodhej në Bruksel për të marrë pjesë në Këshillin e ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë, në mënyrë që t’i propozojë Këshillit të Ministrave projektligjin e ratifikimit të legjislacionit të ri europian për emigrantët, legjislacion që qeveria italiane shpreson se do të zhbllokojë përdorimin e qendrës në Shqipëri.

Lista e vendeve të sigurta

Bangladeshi, Kolumbia, Egjipti, India, Kosova, Maroku dhe Tunizia. Këto janë, sipas vendimit të sotëm të BE-së, vendet e origjinës që duhet të konsiderohen të sigurta. Në thelb, për personat që vijnë nga këto vende do të zbatohen procedurat e reja që parashikojnë shqyrtim të përshpejtuar (që, përveç rasteve të veçanta, mund të përfundojë me refuzim të kërkesës për azil) ose mundësinë që kërkesa e tyre të shqyrtohet në një vend të tretë (jashtë BE-së) nga i cili kanë kaluar.

Procedurat e përshpejtuara të kufirit për emigrantët që vijnë nga vende të sigurta mund të zbatohen jo vetëm në kufijtë e BE-së, por edhe në vendet e tranzitit. Kësaj liste i shtohen edhe vendet që janë në pritje për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Lista i përgjigjet kërkesave të Italisë, duke qenë se nga Bangladeshi dhe Egjipti, si edhe nga Tunizia, regjistrohen mbërritjet më të shumta në brigjet italiane.

Koncepti i “vendit të tretë të sigurt”

Koncepti i vendit të tretë të sigurt u mundëson shteteve anëtare të BE-së të shpallin një kërkesë për azil si të papranueshme (pa e shqyrtuar në thelb), kur kërkuesi i azilit ka pasur mundësi të kërkojë dhe të marrë mbrojtje ndërkombëtare në një vend jashtë BE-së që konsiderohet i sigurt për të. Për shembull, nëse një emigrant nga Afrika Subsahariane kalon nëpër Marok ose Tunizi para se të mbërrijë në Itali, ai mund të kishte kërkuar azil atje.

Në përgjithësi, konsiderohen të sigurta ato vende për të cilat përqindja e dhënies së lejeve të qëndrimit për kërkuesit e azilit nuk e kalon 20%. Sipas rregullave të përditësuara të miratuara nga Këshilli, shtetet anëtare mund të zbatojnë konceptin e vendit të tretë të sigurt bazuar në tre opsione:

-ekziston një “lidhje” mes kërkuesit të azilit dhe vendit të tretë;

-kërkuesi ka tranzituar nëpër vendin e tretë para se të mbërrinte në BE;

-ekziston një marrëveshje ose mirëkuptim me një vend të tretë të sigurt që garanton se kërkesa për azil do të shqyrtohet në atë vend.

Zbatimi i konceptit të vendit të tretë të sigurt mbi bazën e një marrëveshjeje ose mirëkuptimi nuk lejohet për të miturit e pashoqëruar.

Qendrat në vendet e treta të sigurta

Marrëveshja e arritur mbi rregulloren e re të riatdhesimeve hap rrugën për krijimin e të ashtuquajturave “return hub”, qendra për riatdhesime të vendosura jashtë kufijve të Bashkimit Europian.

Sa i përket qendrave të riatdhesimit, nuk jam unë ai që duhet të mendojë për vendet e treta; bëhet fjalë për negociata mes shteteve anëtare dhe më pas me vendet e treta. Do të ishte pozitive, natyrisht, nëse më shumë palë do të bashkonin forcat. Mendoj për Holandën, që po diskuton me Ugandën. Gjermania është tashmë pjesë e bisedimeve. Ashtu si Italia dhe Shqipëria. Por nuk jam unë ai që vendos; tashmë kemi vendosur bazën ligjore që të jetë e mundur të merren në konsideratë ide kaq të reja dhe inovative”, shpjegon komisioneri europian për Çështjet e Brendshme dhe Emigracionin, Magnus Brunner, në mbërritjen e tij në Këshillin e Ministrave të Brendshëm të BE-së.

Kuotat e solidaritetit për emigrantët

Ende mbetet për t’u përcaktuar “solidarity pool”, pra angazhimet e shteteve anëtare për të ndihmuar vendet e para mbërritjes. Komisioni ka paraqitur një propozim, por disa shtete vazhdojnë të hezitojnë mbi format e solidaritetit që duhet garantuar për vende si Italia, të cilat konsiderohen nën presion emigrator përtej pragut të pranueshëm.

Finlanda, për shembull, ka bërë të ditur se është e gatshme të kontribuojë vetëm financiarisht, por jo të pranojë emigrantë në territorin e saj. Tani u takon 27 vendeve të bien dakord.

Jam shumë optimist se sot do të gjejmë një zgjidhje, sepse është një pjesë shumë e rëndësishme e paktit të migracionit në tërësinë e tij”, shprehet Brunner. / La Repubblica