Këshilli i Evropës theksoi të dielën se liria e medias është thelbësore në kohë krizash, duke shprehur shqetësim mbi sulmet ndaj gazetarëve dhe kufizimet mbi lirinë e medias në shumë pjesë të Evropës.

“Gazetarët në një demokraci luajnë një rol jetësor në zbulimin e së vërtetës dhe mbajtjen e qeverisë përgjegjëse. Detyra e tyre është të sigurojnë që qytetarët të marrin informacion në kohë, të saktë dhe të besueshëm, i cili është bërë edhe më i rëndësishëm në kontekstin e pandemisë COVID-19,” tha deklarata në kuadër të 3 Majit, Dita Botërore e Lirisë së Shtypit.

Deklarata kujton se e drejta për lirinë e shprehjes është e pranuar në nenin 10, për të cilin janë angazhuar të 47 anëtarët e Këshillit të Evropës, përfshirë 27 anëtarët e Bashkimit Evropian.

Platforma për Mbrojtjen e Gazetarisë dhe Sigurinë e Gazetarëve, e cila bashkon organizatat partnere të Këshillit të Evropës, njoftoi në raportin e saj vjetor se 201 raste të kërcënimeve ndaj lirive të medias u regjistruan në 47 anëtarë të Këshillit të Evropës në vitin 2020, një rritje prej pothuajse 40 për qind krahasuar me 2019.

Gjithashtu pati një numër rekord të paralajmërimeve në lidhje me sulmet fizike (52 raste) dhe ngacmimet ose frikësimet (70 raste).

“Eshtë më e rëndësishme për gazetarët se kurrë të jenë në gjendje të raportojnë lirshëm dhe të sigurt,” tha deklarata, duke paralajmëruar një rritje të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve që raportojnë nga demonstratat publike.

“Ndërsa Evropa del gradualisht nga pandemia, të gjitha qeveritë duhet të punojnë për ta bërë angazhimin tonë të përbashkët për lirinë e shprehjes edhe më të fortë dhe më elastik ndaj krizës në të ardhmen,” tha deklarata.