Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi në mënyrë unanime që të përgjysmojë pagën mujore të anëtareve të vet, në shenjë solidariteti më qytetarët shqiptarë të prekur nga masat ndaluese të pandemisë COVID-19.
Vendimi u morr sot paradite në mbledhjen me anëtarët e Këshillit, nëpërmjet platformës on-line.
Ishte kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçit, që iu drejtua institucioneve kushtetuese dhe institucioneve të krijuara me ligj me shkresë zyrtare me datë 2 Prill 2020 për përgjysmimin e pagave.
Gjithashtu, përpos kontributit në masë 50% nga paga mujore e anëtarëve të Këshillit, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të vendos në dispozicion të Ministrisë së Financave një shumë rreth 7,8 milion lek nga fondi i pagave të cilit Këshilli nuk do ta shpenzojë për vitin 2020.
Gjithashtu, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, vendosi të miratojë tërheqjen nga kandidimi për t’u emëruar prokuror në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Anita Jella me kërkesë të saj dhe deklaroi të përfunduar procedurën e ngritjes në detyrë për Jella.
Si rrjedhojë, Këshilli vendosi të shpallë fillimin e procedurave për plotësimin e 1 (një) vendi vakant për prokuror në Prokurorinë e Posaçme përmes procedurës së ngritjes në detyrë dhe të caktojë Komisionin e Posaçme për zhvillimin e procedurave për përzgjedhjen e prokurorëve të SPAK dhe të ndjekë e të zbatojë procedurat paraprake për plotësimin e kushteve nga kandidatët. Shprehja e interesit duhet të dorëzohet jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë kalendarike nga publikimi i shpalljes në faqen zyrtare të institucionit.