Forca të shumta policie janë vendosur në afërsi të Kryesisë së Kuvendit, para protestës së paralajmëruar nga opozita.

Ndërkohë ditën e sotme, pritet që Këshilli i Mandatave të vendosë mbi “fatin” e ish-kryeministrit Sali Berisha, për të miratuar ose jo kërkesën e SPAK për lejimin e arrestimit te tij.

Sipas burimeve brenda godinës ndodhen gardistë të shumtë, të cilët ashtu si edhe efektivët e policisë janë të pajisur me maskë kundragaz.

Opozita ka paralajmeruar sot në protestë të Kryesia e Kuvendit, në të njëjtën orë që do të shqyrtohet edhe kërkesa e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të deputetit për Sali Berishën.

Këshilli i Mandateve do të mblidhet në orën 12:00 për të marrë në shqyrtim kërkesën e SPAK-ut.

Nuk dihet nëse Berisha do të jetë sot përballë socialistëve dhe prokurorëve të SPAK-ut, apo do të përfaqësohet me avokatët e tij në këtë mbledhje.

Por në të gjitha daljet e tij publike, ish-kryeministri ka deklaruar se protesta e thirrur nga opozita, edhe pse përkon me të njëjtën orë me mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Rregullores, nuk ka aspak lidhje me vendimin që pritet të merret për fatin e imunitetit të tij.

Mbetet për t’u parë nëse ky vendim do të merret vetëm me votat e 5 socialistëve, apo atyre do t’u bashkohet edhe ajo e përfaqësuesit të Lulzim Bashës në këtë këshill, Enkelejd Alibeaj. Ndërkohë në pikëpyetje është prezenca e anëtarëve të tjerë demokratë në këtë mbledhje, të cilët janë pjesë e aksionit të opozitës në Kuvend si Gazment Bardhi, Greta Bardeli, Ervin Salianji dhe Saimir Korreshi.
MASAT
Për tubimin e thirrur nga demokratët, komisariatet e policisë do të jenë të hënën në gatishmëri edhe për mbarëvajtjen e tij. Drejtoria e Policisë së Tiranës ka hartuar një plan masash me prezencë të shtuar të punonjësve të rendit në perimetrin ku do të mbahet protesta.

Krahas protestës të së hënës, opozita ka paralajmëruar edhe një tjetër tubim përpara Parlamentit të enjten, ku me gjasë socialistët do të votojnë në seancë plenare dhënien e autorizimit për arrestimin e ishkryeministrit Berisha. Paralelisht me këto zhvillime, 28 deputetë të grupit parlamentar të PD-së teksa e cilësojnë në shkelje të ligjit themeltar të shtetit dhe një vendim të diktuar politikisht masën e dhënë nga SPAK-u ndaj Sali Berishës, iu drejtuan pak ditë më parë Gjykatës Kushtetuese, duke u kërkuar togave të zeza pezullimin e masave shtrënguese ndaj ish-kryeministrit dhe interpretimin e nenit 73 të Kushtetutës, pika 2 e tij.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re