Iraku njoftoi se Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) ka hequr sanksionet ndaj këtij vendi, të cilat ishin vendosur për shkak të pushtimit të Kuvajtit në vitin 1990.
Zëdhënësi i Punëve të Jashtme të Irakut, Ahmed Mahxhub në një deklaratë me shkrim ka njoftuar se pas përpjekjeve diplomatike të MPJ-së, OKB-ja mbrëmë ka marrë vendimin për heqjen e sanksioneve ndaj Irakut sipas Kapitullit VII.
Mahxhub tha se ky është një hap i rëndësishëm për rikthimin e Irakut në gjendje normale dhe në pozitën ndërkombëtare.
Ai bëri të ditur se OKB-ja ka hequr vendimin për sanksione me numër 2390. Në deklaratë thuhet se Iraku ka përmbushur të gjitha dispozitat e Kapitullit VII dhe të gjitha llojet e masave paraprake në përputhje me vendimet 1958 (2010) dhe 2335 (2016), shkruan aa.
Pas pushtimit të Kuvajtit nga Iraku në vitin 1990, në periudhën e Saddam Huseinit, OKB-ja në kuadër të Kapitullit VII mori vendim për vendosje të sanksioneve kundër Irakut. /KosovaPost/.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re