Skip to content

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mirëpret zgjedhjen e qeverisë së re të përkohshme në Libi

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) ka mirëpritur zgjedhjen e qeverisë së re të përkohshme në Libi e cila do të qeverisë vendin deri në zgjedhje.

Në një deklaratë të përbashkët, KS-OKB njoftoi se zgjedhja e qeverisë së re të përkohshme në Libi është “një pikë kthese e rëndësishme në procesin politik”.

Duke shprehur kënaqësinë e zgjedhjes së qeverisë së re të përkohshme nga Forumi Libian për Dialog Politik, KS-OKB bëri thirrje për formimin në mënyrë të shpejtë të një qeverie të re gjithëpërfshirëse dhe fillimin e një procesi dakordimi kombëtar gjithëpërfshirës deri në zgjedhjet e planifikuara më 24 dhjetor.

Po ashtu KS-OKB u bën thirrje të gjitha palëve që të zbatojnë armëpushimin e arritur më 23 tetor 2020 dhe të gjitha forcat e huaja dhe ushtarët mercenarë të largohen nga vendi pa u vonuar.

Duke i bërë thirrje Libisë për zbatimin e embargos së armëve, KS njoftoi se nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres pret propozimet lidhur me përmasat dhe detyrat për mekanizmin kontrollues të armëpushimit në Libi.

Si rezultat i votimit nga anëtarët e Forumit Libian për Dialog Politik që u mblodhën nën kryesimin e OKB-së në Gjenevë të Zvicrës, Mohammad Younes Menfi u zgjodh në krye të Këshillit Presidencial në Libi ndërsa Abdul Hamid Mohammed Dbeibah në detyrën e kryeministrit të cilët do të kryejnë këto detyra deri në zgjedhjet që janë paraparë të mbahen në vend më 24 dhjetor 2021.