Agjencia e lajmeve AFP lajmëron se Këshilli i Sigurimit të OKB-së e ka shtyrë për sot pasdite një votim për një armëpushim 30-ditor në Siri.

Shtyrja e votimit synon t’u lërë hapësirë negociatave në vijim për gjetjen e gjuhës së përbashkët mes vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit.

Mungesa e njëzëshmërisë ka sjellë shtyrjen e votimit për të disatën herë.

Projektrezoluta, e paraqitur nga Kuvajti dhe Suedia, bën thirrje për një armëpushim të gjithmbarshëm në Siri brenda 72 orëve nga miratimi i saj. Në kufijtë e 48 orëve pas kësaj parashikohet nisja e shpërndarjes së ndihmave dhe e evakuimeve.

Një zonë vijimësisht kryeneçe ndaj regjimit, Guta Lindore gjendet prej ditësh nën zjarrin e bombardimeve të rënda. Më shumë se 400 civilë thuhet se janë vrarë vetëm gjatë kësaj jave; spitalet kanë qenë mes objektivave të bombardimeve.

Ende nuk është e qartë sidoqoftë nëse do të gjendet pajtimi për votimin e projektrezolutës në orët në vazhdim. /tshc/.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re