Këshilli Kombëtar i PD ka miratuar rezolutën e prezantuar nga deputeti Oerd Bylykbashi për zgjedhjen e presidentit të vendit. Bylykbashi tha se Rama aktualisht kishte kapur mbi 90% të pushteteve dhe nuk mund ta linin pozicionin e presidentit në dorën e tij.

Në rezolutën e miratuar me shumicë votash, përcaktohet Komisioni i Rithemelimit për të kryer veprimet e nevojshme sa i përket bisedimeve me bashkëpunëtorët e tjerë opozitarë për të përcaktuar emra kandidatë të mundshëm për t’u zgjedhur në postin e presidentit të republikës.

Për sa më sipër, Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, me këtë rezolutë vendos:

Partia Demokratike do të shprehë vullnetin e saj për zgjedhjen e Presidentit të Republikës
me votën e deputetëve të grupit të saj parlamentar, në çdo rast pa u bërë pjesë e farsave institucionale të mazhorancës socialiste.

Mandatohet Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të Partisë Demokratike të caktojëpërfaqësuesit për gjetjen e një qëndrimi të përbashkët me partitë e tjera opozitare në procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës në Kuvendin e Shqipërisë.

Në rast se në procesin politik dhe parlamentar të gjetjes së kandidaturave, krijohen kushtet për konsensus për votimin e Presidentit nga kandidatë të propozuar nga opozita, mandatohen përfaqësuesit e Partisë Demokratike që bashkarisht me përfaqësuesit e tjerë të partive opozitare, të propozojnë kandidatë në raundet e përcaktuara nga Kushtetuta. Çdo alternativë që mundëson zgjedhjen e Presidentit me votat e Partisë Socialiste, apo të siguruara pa konsensus politik të vërtetë, do të refuzohet me votë në Kuvend.

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike, në përputhje me Statutin e Partisë Demokratike dhe nenin 4 të Rregullores së Grupit Parlamentar, siguron zbatimin e qëndrimit politik të Partisë Demokratike të përcaktuar në këtë rezolutë.

Çdo qëndrim që bie ndesh me këtë rezolutë detyruese dhe tagrat përfaqësuese politike të rrjedhur nga vendimet e organeve përfaqësuese të Partisë Demokratike, nuk përfaqesojnë Partinë Demokratike në procesin e zgjedhjes së Presidentit.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re