Përfaqësuesi i mazhorancës në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri, ka treguar detaje nga mbledhja e zhvilluar sot në mbrëmje. Në një deklaratë për mediat, Gjiknuri tha se sot është përfunduar puna dhe është arritur marrëveshja për të gjitha pikat e mbetura pezull më herët.

“Sot përfunduam punën dhe gjetëm dakordësi për të gjitha, që kishin mbetur pezull në mbledhjet e kaluara. E them pa droje që kemi plotësuar të gjitha kërkesat e opozitës. Unë dua të them që të plotësohet të gjitha kërkesat dhe frikërat e opozitës në ligjin e ri zgjedhor, tani është në dorë të ekspertëve që të zbardhin marrëveshjen”, tha Gjiknuri.

Më tej deputeti i PS u shpreh se është arrit dhe marrëveshja për ligjin zgjedhor për vitin 2023, siç është folur dhe më herët. “Punë e lodhshme ishte, për shkak dhe të klimës së tensionuar politike. Sot arritëm marrëveshjen për KQZ-në që do të bëhet në Kuvend, ku opozita do të ketë një anëtar të dërguar në Kuvend dhe do të ketë të drejtën e përjashtimit për anëtarët e propozuar prej nesh, afërsisht siç është tani”, u shpreh anëtari i maxhorancës.

Në fund ai foli edhe njëherë për votën e emigrantëve, duke thënë se do u garantohet e drejta për të zgjedhur. “Vota është e garantuar, vota e tyre do të bëhet e mundur pasi ata të regjistrohen në regjistrin e gjendjes civile, pasi ata e kanë të drejtën e zgjedhjes. Kemi rënë dakord që aktet normative të miratohen me konsensus”, tha Gjiknuri.

Këshilli Politik pas 5 orësh diskutime ka arritur marrëveshjen për KQZ-në e re, sipas formulës së propozuar nga opozita. Kjo ishte dhe mbledhja e fundit e KP, pasi palët janë dakordësuar për të gjitha çështjet. Gjiknuri tha se marrëveshja u shkrua nga opozita dhe u miratua nga maxhoranca. Hajdari u shpreh se do kërkonte dhe në Kuvend ndryshimin e sistemit zgjedhor. Nga ana tjetër Bylykbashi e Vasili pas takimit deklaruan se kjo marrëveshje garanton rotacion politik.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re