Teherani është teknikisht i aftë të prodhojë një bombë bërthamore, por ende duhet të vendosë nëse do ta bëjë një të tillë, i tha Al Jazeera-s Kamal Kharazi, një këshilltar i lartë i udhëheqësit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.

“Brenda pak ditësh do të kemi mundësi të pasurojmë uraniumin deri në 60 për qind dhe mund të prodhojmë lehtësisht uranium të pasuruar 90 për qind. Irani ka aftësitë teknike për të prodhuar një bombë bërthamore, por nuk ka vendosur të bëjë”, tha ai.

Në vitin 2018, ish-presidenti i SHBA Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e 2015 me Teheranin dhe fuqitë botërore, sipas së cilës Irani frenoi punën e tij të pasurimit të uraniumit, një rrugë e mundshme drejt armëve bërthamore, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ekonomike.

Një vit pas politikës së Trump-it të “presionit maksimal” ndaj Iranit, Teherani filloi të shkelte kufijtë e rënë dakord nga pakti bërthamor.

Irani ka mohuar prej kohësh se dëshiron të ndërtojë armë bërthamore, duke thënë se po pasuron uranium vetëm për nevojat e energjisë civile dhe se do të ndalojë shkeljen e marrëveshjes ndërkombëtare nëse SHBA heq sanksionet dhe kthehet në marrëveshje.

Negociatat indirekte midis Iranit dhe administratës së Presidentit Joe Biden, që synojnë kthimin e Uashingtonit dhe Teheranit në përputhje me marrëveshjen bërthamore, janë bllokuar që nga marsi.

Kharazi tha se Teherani nuk do të negociojë kurrë për programin e tij raketor dhe politikën rajonale, siç kërkohet nga Perëndimi dhe aleatët e tij në Lindjen e Mesme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re