“Bunkerët e epokës komuniste në Shqipëri ishin vënë për të përballuar shpërthime nukleare, por dekada më vonë këto fortesa po gllabërohen nga deti, teksa bregdeti i vendit po përballet me erozionin.”

Kështu shkruan agjencia franceze e lajmeve AFP, e cila i kushtoi një artikull problematikës së erozionit në Shqipëri dhe bunkerëve në bregdet, të cilët shërbejnë si “shenjuesit” më të mirë të erozionit në brigjet e vendit.

Më poshtë artikulli i plotë, ku do të gjeni dhe rrëfimet e banorëve në Seman e deklarimet e ekspertëve, të cilët tregojnë se çfarë ka bërë erozioni.

Bunkerët e epokës komuniste në Shqipëri ishin vënë për të përballuar shpërthime nukleare, por dekada më vonë këto fortesa po gllabërohen nga deti, teksa bregdeti i vendit po përballet me erozionin.

Brigjet e shtetit ballkanit janë ndër më të prekurit prej erozionit në të gjithë Europën sipas ekspertëve, të cilët fajin e vënë tek ndryshimet klimaterike dhe urbanizimi pakontrolluar.

Përgjatë brigjeve të Semanit, në Shqipërinë qendrore, shumë bunkerë të ndërtuar nën drejtimin e ish- diktatorit Enver Hoxha- i cili i frikësohej një pushtimi nga SHBA-të, Bashkimi Sovjetik, Kina, etj- janë tashmë nën ujë.

Ashtu ka ndodhur me stacionin e policisë, një fushë sporti dhe një pus nafte. Nëpër plazhe, lëvoret e pemëve janë rrjepur, ndërsa çatitë e kolapsuara tregojnë pafuqinë e popullatës përballë avancimit të vazhdueshëm të detit.

“Bunkerët supozohej t’i rezistonin gjithçkaje, por dështuan në të parën dhe të vetmen luftë që patën”-tregoi një 80 vjeçar për AFP.

Sipas banorëve të zonës, deti Adriatik ka avancuar 800 metra në këtë zonë në 3 dekadat e fundit. Një prej banorëve të Semanit, Izmir Mernica, na tregon se radhën mund ta ketë kafeneja e tij.

Jemi të shqetësuar, deti po i gëlltit të gjitha”-thotë ai duke e drejtuar gishtin tek një kullë uji, e cila tashmë ndodhet në mes të ujit.

“Dallgët do na gëlltisin”

Në vitin 2009, autoritetet ia besuan automjeteve ushtarake, nxjerrjen e 7 bunkerëve të zhytur nën ujë, fill pas mbytjes së disa njerëzve për shkak të rrymave që krijoheshin pranë këtyre strukturave. Më shumë se një dekadë më vonë, bunkerët janë sërish nën ujë.

“Deti i mori sërish”-tregon 47 vjeçari Mernica.

Sipas ekspertëve të klimës të cilët punojnë për UNDP (Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim), më shumë se një e treta e të gjithë vijës bregdetare shqiptare (427 km në total) është e prekur nga erozioni, me një normë afro 1-2 metra në vit.

Abdulla Diku, një specialist i mjedisit, tha se për çdo hektarë tokë, afro 27 ton dhé humbet çdo vit, një normë 11 herë më e lartë se mesatarja e shteteve evropiane.

Në Qerret, Vlash Moci vijon ta mbajë bunkerin, i cili dikur mbante anti-ajrorë, ndërsa tani shërben si kafene për të tërhequr turistët e huaj. Moci, 64 vjeçar, tregoi shqetësimin se për shkak të erozionit, biznesi i tij mund të përfundojë nën ujë, njëlloj si bunkeri i afërt me të, një strukturë jeshile që duket si ndonjë disk fluturues, e që për pak po konsumohet plotësisht nga uji.

“Jemi të frikësuar se një ditë, ndonjë dallgë e madhe do të na gllabërojë”-i thotë ai AFP-së.

Për t’i dalë përpara problemit, shumë prej pronarëve të vilave apo hoteleve në Qerret kanë nisur ndërtimin e pritave, por sipas ekspertëve, këto masa thjesht e përkeqësojnë situatën.

“Pikat e nxehta” të erozionit

“Këto orvatje individuale e agravojnë situatën dhe dëmtojnë biodiversitenin e ekosistemin marin”-paralajmëron Mirela Kamberi, një eskperte e UNDP-së.

Me pak vullnet për të ndaluar baticat në rritje, deti duket se nuk do të ndalet edhe në të ardhmen. Për shkak të ndryshimeve klimatike, ekspertët parashikojnë se nivelet e detit në Shqipëri do të rriten me 40 deri në 105 centimetra deri në vitin 2100.

Shpyllëzimi ka sjellë po ashtu dëme, gërmimi i parregulluar i lumejve ka përshpejtësuar rrjedhën e tyre  dhe zhvillimi i pakontrolluar urban në bregdet, ka dëmtuar aftësinë mbrojtëse natyrale në këto zona.

“Problemi është se njerëzit kanë prerë thuajse çdo pemë për të bërë ndërtesa, duke dëmtuar sistemet natyrore”-tregon Besnik Zara, 66 vjeçar i cili peshkon në det.

Në zonën e Shupalit pranë Tiranës, është shumë e lehtë të shikosh dëmet e erozionit, shumica e të cilit është shkaktuar nga shpyllëzimi dhe lumenjtë që ushqejnë një rezervuar aty pranë.

Ky liqen, i cili furnizon kryeqytetin me ujë të pijshëm, “konsiderohet tashmë një vatër erozioni”, thotë Abdulla Diku, specialist i mjedisit.

Për t’i dalë në ballë situatës, autoritetet kanë ndaluar prerjen e pemëve në zonë që prej vitit 2016. Gjithashtu autoritetet thanë se do të implementohen të gjitha premtimet e bëra në konferencën e klimës në Paris e Glasgou

“Krimi mjedisor do të trajtohet në kodin penal si një krim kundër jetës, pronës ose i njëjtë me krimin e organizuar”-paralajmëroi Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re