Emisioni “Shqiptarët për Shqiptarët” e nisi sezonin e ri  më 26 mars, pak ditë para ardhjes së Ramazanit. Në këtë muaj të madhërueshëm, të shumta qenë rastet e thirrjet e nevojtarëve që na përlotën. Njëlloj të shumta ishin herët kur derdhëm lot gëzimi, pasi të bashkuar me shqiptarët, mundëm të lumturojmë familje, jetimë e nevojtarë nëpër trojet shqiptare.

Po sjellim në këtë artikull përmbledhjen e atyre rasteve që prekën zemrat tona e të shqiptarëve

Historia e vogëlushit me 9 operacione në trup, së bashku e dërguam për kurim në Itali

Kur 12 vjeçari nga Durrësi na tregoi historinë e tij, ishte e pamundur t’i mbaje lotët. Kristi ishte i prekur nga një sëmundje e rëndë, ndërsa familja e kishte krejtësisht të pamundur ta dërgonte të birin për kurim jashtë shtetit. Kristi na rrëfente se frika e kishte kapluar, pasi e dinte se nuk kishte shpëtim në Shqipëri.

Por edhe më therës, ishin lotët e babait të Kristit. Hasani vetë kishtë kaluar një sëmundje të rëndë në kokë, që e kishte lënë me pasoja serioze. Në pamundësi për të folur, ai mblodhi të gjitha forcat dhe teksa derdhte lot dëshpërimi, i bëri një thirrje shqiptarëve: “Kam frikë se vdes Kristi! Nuk kam mundësi… nuk e çoj dot jashtë. Nuk kërkoj gjë për vete, vetëm për djalin! Ju lutem, Elvis Naçi, ndihmoni Kristin

Shqiptarët iu përgjigjën thirrjes së familjes dhe të gjithë shpërthyen në lot, kur Elvis Naçi e Sidrit Bejleri i treguan lajmin se Kristi do të nisej për kurim në Itali.

Në varfëri dhe pa të atin! Falë bamirësisë bashkuam në një shtëpi nënën me 4 jetimë

Historia e familjes Jaupaj ishte dramatike. 4 fëmijë që jetonin të ndarë nga nëna e tyre, sepse varfëria e skamja i kishte detyruar. Djali i familjes, Antonio, ishte ai që ishte përballur me vdekjen e të atit, që me sakrifica e mund kishte mundur të blinte një traktor për të punuar tokën. Një aksident fatkeq, ia mori jetën.

Për shkak të vështirësive të jashtëzakonshme ekonomike, Elisabeta, nëna e 4 fëmijëve jetimë, ishte detyruar t’i largonte vajzat e djalin tek të afërmit. Nuk mund t’i mbante dot.

Edhe më i dhimbshëm ishte rrëfimi i Zylyftarit, gjyshit të jetimëve e babait të Elisabetës. 75 vjeçari ishte bërë krah për të bijën, duke marrë dy mbesa në shtëpi, për t’i ushqyer e mbajtur.

Së bashku me shqiptarët, bëmë të mundur që të ribashkonim familjen në të njëjtën çati, duke i dhuruar një shtëpi të re.

Një punë e madhe për të shpëtuar një jetë, mrekullinë e sollëm në studion e “Shqiptarët për Shqiptarët”

Disa muaj më parë përcollëm historinë e dhimbshme të një familje nga Kosova. Djali i tyre, Ajani, po shuhej dalëngadalë. Ajani ishte i prekur nga një sindromë e rrallë dhe shpresat për t’i shpëtuar jetën ishin të pakta në Kosovë.

Si kurdoherë, shqiptarët u bënë bashkë me ne dhe Ajanin mundëm ta dërgojmë për kurim në Itali.

Në muajin e madhërueshëm të Ramazanit, Ajani dhe familja e tij erdhën në studion e emisionit “Shqiptarët për Shqiptarët”, për të treguar mrekullinë që ndodhi me vogëlushin

I binte shpesh të fikët kësaj nëne të re, pasi e bija ishte prekur nga sëmundja

Xhenisa e Armando ishin bërë për herë të parë prindër. Të dy në moshë të re, u përballën me një sëmundje të rëndë që i rrezikonte jetën vajzës së tyre 20 muajshe, Kataleas.

Shpesh Xhenisës i binin të fikët në spital, s’mundej të duronte dot dhimbjen e të parit të të bijës, pa mundur ta shpëtonte.

Por ishin shqiptarët që i dolën në krah. Lea u nis për kurim drejt Italisë, ndërsa nisja e saj me avionin sanitar ishte një ndër momentet më prekëse. Sidrit Bejleri e Elvis Naçi nuk mundën t’i mbajnë dot lotët, teksa Lea u nis drejt Italisë.

Historia e familjes Vladi, një nënë e vetme në varfëri me 4 jetimë dhe një foshnje në bark

Të shikoje lotët e 4 jetimëve të familjes Vladi ishte një prej momenteve më emocionuese gjatë muajit të madhërueshëm të Ramazanit. Familja Vladi kishte humbur kryefmiljarin, ndërsa Adelina, nëna e jetimëve, po priste fëmijën e pestë, një djalë që kurrë nuk do ta njohë dot të atin. Familja jetonte me qira dhe në kushte tepër të rënduara ekonomike. Ishte therëse të dëgjoje një prej vajzave, që thoshte se ëndërr kishte të mos vdiste për bukë.

U bashkuam me shqiptarët në muajin e madhërueshëm të Ramazanit, për t’i dhuruar një banesë të re dhe mbështetje Adelinës dhe fëmijëve të saj.

Të bashkuar lehtësuam dhimbjen e një nëne, vajza e saj ishte e prekur nga skolioza, epilepsia e autizmi

Nga momenti kur hapte sytë në mëngjes, e deri në darkë, kjo nënë e kishte mendjen tek e bija. Suzana kujdesej 24 orë në 24 për të bijën. Adelina, pjesë e spektrit të autizmit, vuante nga epilepsia dhe nga skolioza. Kohët e fundit skolioza ishte kthyer në një shqetësim serioz për jetën e Adelinës, një shqetësim që shqiptarët e hoqën si barrë, nga shpatullat e kësaj nëne heroinë.

“O MA ÇOHU, ERDHA PËR TË TË PARË” HISTORIA QË PËRLOTI SHQIPTARINË

Një ndër historitë më të dhimbshme, më emocionale e më të prekshme me të cilat jemi përballur, ishte drama e familjes Lluka. Një baba invalid që u përball me sprovën e madhe, e shoqja u aksidentua në Tiranë e prej mëse 220 ditësh qëndronte në koma.

Lotët e rrëfimet e tre prej 4 fëmijëve të familjes Lluka, Alteos së vogël, Mariglenit 12 vjeçar e Sheidit, 16 vjeçarit që ishte bërë nënë e babë për dy vëllezërit e vegjël.

Historia e familjes Lluka përloti të madh e të vogël. Reagimi për t’i ardhur në ndihmë kësaj familje qe i jashtëzakonshëm dhe mbresëlënës.

Të ndarë në troje, por në zemër një… së bashku mundëm të sjellim buzëqeshjen pas shumë kohësh, tek fytyra e Xhavitit e fëmijëve të tij.

“Dashtë Zoti, vajza do të çohet në këmbë, nuk ka gëzim më të madh për mua e time shoqe”

Adisa është një shqiptare e Shkupit, që emisioni “Shqiptarët për Shqiptarët” së bashku me bamirësit e kanë ndihmuar kohë më parë për të shpëtuar nga sëmundja e skoliozës. Në muajin e Ramazanit përcollëm lajmin se Fondacioni Firdeus do të jetë në krah të saj sërish, duke i siguruar mundësinë për një tjetër ndërhyrje të nevojshme që Adisa të mund të ecë lirisht

Fondacioni Firdeus merr përsipër të shuajë lotët e një nëne të verbër

Në muajin e madhërueshëm të Ramazanit, Elvis Naçi u përball me lotët e një nëne nga Kosova. Historia e Valmirës u transmetua në emisionin N’Kosovë Shoë, ndërsa kjo nënë lutej për ndihmë, pasi i biri njëlloj rrezikonte t’i humbte sytë. Në emër të Fondacionit Firdeus, Elvisi i rrëfeu Valmirës se paratë e nevojshme për ndëhyrjen do të siguroheshin nga fondacioni

Rrëfimi përlotës i Izet Onuzit dhe premtimi i Fondacioni Firdeus

Izet Onuzi është mbase një ndër shqiptarët me vullnetin e mirësinë më të fortë që kemi njohur. I përballur me një sprovë të jashtëzakonshme, Izeti nuk lejoi që dëshpërimi ta vërë përfund, përkundrazi. Edhe pse i mungojnë të katra gjymtyrët, Izeti ka mundur t’i dalë në ndihmë bashkëvuajtësve të tij e pikërisht për këtë mirësi të tij, Fondacioni Firdeus i ka dalë në krahë për të mundur të sigurojë proteza për nevojtarët.

Brenda pak orëve në muajin e madhërueshëm të Ramazanit, u bëmë bashkë për Lorelën nga Kosova

Lorela vuan nga një sëmundje e rëndë dhe është veçse 5 vjeçe. Thirrjen për ndihmë e bëri babai i tij dhe reagimi I shqiptarëve qe i jashtëzakonshëm. Në vetëm pak orë, shuma e nevojshme prej mëse 70 mijë eurosh u mblodh dhe Lorela e vogël u nis bashkë me lutjet tona drejt Turqisë.

“Historia ime është një varfëri e tmerrshme” Një nënë me dy jetimë që u gëzua nga shqiptarët

“Të rrosh ti dhe dy fëmijët, yt shoq ju la” Kështu e kujtoi Violeta momentin kur mësoi se i shoqi kishte ndërruar jetë. Mbeti e vetme, në varfëri e me dy fëmijë jetimë.

Së bashku bëmë të mundur që Violeta të mund të gëzohej me një shtëpi të re për veten dhe dy vogëlushët e saj.

Detyrohej të shtrihej në dysheme për të ngrënë bukë, shqiptarët i mundësuan operimin për skoliozën

Antigona 11 vjeçe detyrohej të shtrihej në tokë për të ngrënë… shpesh herë as detyrat e shkollës s’mund t’i bënte për shkak të dhimbjeve të shumta që duronte në trup. Shqiptarët bamirës dhe Fondacioni Firdeus ia lehtësuan dhimbjet, duke i siguruar fondet për operimin e skoliozës.

“Babi im është në parajsë” Bamirësia e një shqiptari të Tetovës për një familje me jetimë në Burrel

Në muajin e Ramazanit, përcollëm historinë e një familje nga Burreli, me dy jetimë të vegjël. Nëna me dy vogëlushët jetonte në një godinë të improvizuar dhe pa asnjë të ardhur. Një bamirës zemërmirë me origjinë nga Tetova, u bë shkas që kjo familje të gëzohej me shtëpi të re.

Babi më kapi përdore, më la amanet të kujdesem për nënën e motrën

Një tjetër familje me dy jetimë u gëzua, falë bamirësisë së një shqiptari të Shqipërisë. Familja Stojna u sprovua me vdekjen e kryefamiljarit, i cili prej kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë. Familja jetonte në një shtëpi të shkatërruar dhe pa asnjë të ardhur, por u lumturua me një shtëpi të re, falë zemërgjerësisë së një bamirësi

Fondacioni Firdeus gëzon jetimët e nevojtarët në muajin e Ramazanit

Ashtu si çdo vit, në muajin e madhëruar të Ramazanit Fondacioni Firdeus u ka dalë në krahë nevojtarëve e jetimëve.

“Qershia mbi tortë” Shpërndahen 155 çelësat e shtëpive në Thumanë

Për ditën e Fitër Bajramit, “Shqiptarët për Shqiptarët” çuan në vend amanetin e atyre qindra mijëra shqiptarëve që u bënë bashkë në karvanin e mirësisë e bamirësisë për të rindërtuar Thumanën. Në fund të muajit të Ramazanit, ishte një kënaqësi e madhe që më në fund arritëm të përmbyllim amanetin e madh, lumturimin e qindra shqiptarëve njëherësh.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re