Pas përfundimit të stinës së dimrit një nga punët më të rëndësishme është larja dhe sistemimi i rrobave të trasha. Ka disa mënyra efikase se si mund të lahen vetë edhe në shtëpi pa qenë nevoja për t’i dërguar në lavanderi.

Rregulli i artë është që të shikoni gjithnjë etiketat  për të mbajtur sa më në formë rrobat tuaja. Materialet delikate zakonisht kërkojnë larje të specializuar ndaj ky proçes mund të bëhet i vështirë dhe bezdisshëm për këdo.

Në këtë artikull do të gjeni disa këshilla se si mund t’i lani rrobat tuaja të thurura në mënyrë profesionale edhe në shtëpi.

Larja me dorë
Të lash me dorë nuk është gjithnjë një proçes i pëlqyeshëm, por është një ndër zgjidhjet më të sigurta dhe të mira për rrobat. Gjëja më e rëndësishme për këtë metodë është të mbani gjithnjë temperaturën e ujit konstante. Nëse e nisni larjen me ujë të ftohtë vazhdoni ta mbani në atë mënyrë derisa të keni përfunduar. Këtë gjë mund ta bëni edhe me ujin e vakët, ndërsa ujin e nxehtë për të larë materialet e leshta evitojeni sa më shumë. Pasi ka tendencën t’i shkatërrojë dhe t’i hapë ato.

Nëse bluza juaj ka njolla, trajtojini me ujë të ftohtë dhe pak sapun më pas zhytini në një legen me ujë të ftohtë. Masazhojini me delikatesë pa i tërhequr shumë në mënyrë që të mos hapet më shumë se sa duhet. Ndërroni ujin dhe bëjeni këtë proçes edhe 2-3 herë të tjera. Në larjen e fundit me ujë të ftohtë, shtoni pak zbutës rrobash për ti dhënë rrobave tuaja pak aromë. Pasi të mbaroni larjen me dorë mos i shtrydhni kurrë këto lloj materialesh, shtypini pak me dorë dhe lëreni të kullojnë. Kini parasysh t’i vendosni gjithnjë në një hapërsirë horizontale duke mos i vënë në tel në mënyrë që bluzat të mos varen.

Larja me lavatriçe
Lavatriçja tek materialet e leshta është gjithnjë një zgjidhje me rrisk pasi mund t’i prishë ato. Megjithatë për personat që nuk kanë gjithnjë kohë për të larë rrobat me dorë, ka disa mënyra të larjes në lavatriçe. Pasi ti fusni trikot e leshta në lavatriçe kujdesuni që të mos kaloni 30°/40° në larje. Në këtë mënyrë do të evitoni prishjen e materialit. Përdorni gjithnjë opsionin për rroba delikate pa i shtrydhur. Gjithsesi kujdesuni të mos i lini në ujë pasi do të prishen. Kujdesuni të përdorni një zbutës aromatik përgjatë larjes në mënyrë që rrobat tuaja të mbeten të buta. Pasi larja të këtë përfunduar shtrijini horizontalisht duke i vënë një peshir poshtë në mënyrë që të thithë lagështinë.

Pastrimi me avull
Duke qënë se larja e shpeshtë ka tendencë të shkatërrojë materialet  e leshta një truk i vogël për ti pastruar ato është mënyra me avull. Në një legen me ujë të nxehtë vendosni sipër rrobat. Ju mund t’i varni ato diku sipër legenit dhe ta lini të marrë avullin derisa uji të jetë ftohur. Një tjetër mënyrë është që ta vini legenin me ujë të nxehtë poshtë stendës së zakonshme të rrobave. Shtroni rrobat sipër dhe lërini përsëri derisa uji të jetë ftohur plotësisht. Sipas dëshirës mund të shtoni dhe vajra esencialë për të aromatizuar vëshjet tuaja./Living.al

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re