Ajo që hani dhe pini mund të ndihmojë në lehtësimin e stresit dhe ankthit. Ushqimet që mund të ndihmojnë në reduktimin e ankthit përfshijnë avokadot, vezët dhe portokallet, ndër të tjera.
Por, le të shohim më konkretisht se cilat janë disa prej tyre.
- Avokado
Konsumimi i rregullt i avokados mund të ndihmojë me ankthin për shkak të përmbajtjes së vitaminës B. Hulumtimet kanë lidhur ushqimet e pasura me vitaminë B me uljen e simptomave dhe ndjenjat më të ulëta të stresit dhe ankthit. Një avokado mesatare përmban disa vitamina B, duke përfshirë folatin (B9), niacinën (B3), acidin pantotenik (B5), riboflavinën (B2) dhe vitaminën B6.
- Boronica
Konsumimi i boronicave mund të jetë i dobishëm për stresin. Boronicat janë të pasura me antioksidantë, të cilët ndihmojnë në vonimin dhe parandalimin e dëmtimit të qelizave. Një studim i publikuar në vitin 2019 zbuloi se, tek njerëzit në postmenopauzë, rritja e antioksidantëve dietikë ulte rezultatet e ankthit.
- Ushqime të pasura me kalcium
Një studim i publikuar në vitin 2022 zbuloi se rritja e konsumit të kalciumit mund të jetë e dobishme për humorin tuaj. Ushqimet e pasura me kalcium përfshijnë perimet si spinaqi dhe lakra jeshile, si dhe produktet e qumështit si qumështi dhe kosi. Rritja e konsumit të kalciumit shpesh rezultonte në më pak ndjenja ankthi dhe më shumë qëndrueshmëri.
- Vezë
Simptomat e ankthit varen nga hormonet, si serotonina dhe dopamina, brenda sistemit tuaj nervor qendror. Të verdhat e vezëve përmbajnë vitaminë D, e cila mund të ndihmojë në funksionimin e sistemit nervor. Nivelet e larta të vitaminës D zvogëlojnë simptomat e ankthit dhe depresionit.
- Arra dhe fara
Një porcion prej 30 gramësh me arra indiane të papërpunuara përmban 1.6 miligramë zink, që është rreth 14% deri në 20% të sasisë së rekomanduar të zinkut për të rriturit. Magnezi gjithashtu ndihmon në përmirësimin e humorit dhe simptomave të ankthit. Farat chia dhe farat e kungullit janë burime të magnezit.
- Portokaj
Një portokall i mesëm ofron më shumë se gjysmën e sasisë së rekomanduar dietike (RDA) të vitaminës C, një antioksidant. Hulumtimet kanë treguar se vitamina C luan një rol në reagimin e trupit ndaj stresit dhe përmirëson humorin.
- Salmoni
Stresi mund të rrisë nivelet e hormoneve të ankthit, siç janë adrenalina dhe kortizoli. Salmoni përmban acide yndyrore omega-3 , të cilat ndihmojnë në uljen e këtyre niveleve të hormoneve. Për shembull, hulumtimet kanë zbuluar se omega-3 ulin nivelet e kortizolit deri në 33%.
- Çaj kamomil
Një filxhan çaj kamomili mund t’ju ndihmojë të relaksoheni. Kamomili ka flavonoide, të cilat janë antioksidantë që mund të kenë veti anti-ankthi. Hulumtimet kanë zbuluar se përdorimi afatgjatë i kamomilit për disa javë mund të zvogëlojë simptomat e çrregullimit të ankthit të përgjithësuar.
- Lëng frutash
Janë në dispozicion lloje të ndryshme lëngjesh frutash, por lëngjet 100% të frutave mund të jenë të dobishme për ankthin. Një studim i publikuar në vitin 2022 shqyrtoi efektet e pirjes së lëngjeve 100% të frutave në ankth, aftësi njohëse dhe depresion. Studiuesit, duke përdorur të dhëna nga mbi 62,000 të rritur, zbuluan se ata që pinin lëng frutash kalonin më pak kohë duke u ndjerë të shqetësuar gjatë muajit.