Sipas ekspertëve, disa vajra gatimi të ashtuquajtura ‘të shëndetshëm’ mund të jenë më të dëmshëm për zemrën, sesa gjalpi apo mishi i viçit. Për ekspertët janë bërë shqetësues vajrat nga farat e bimëve.

Bëhet fjalë për vajin e lulediellit dhe farave të rapit, të cilat gjenden në një sërë produktesh – nga ushqimet e shpejta, si patate të skuqura McDonald’s deri te ushqimet për fëmijë.

Vajrat e farave janë të pasura me yndyrna të pangopura, të cilat, prej kohësh pretendohet, janë një zëvendësues ‘i shëndetshëm për zemrën’ për yndyrat tradicionale shtazore.

Por vitet e fundit, ata gjithashtu janë vendosur në qendër të një debati për shëndetin. Sekretari amerikan i shëndetësisë Robert F. Kennedy Jr bëri luftë kundër vajrave të farave gjatë fushatës së tij për presidencë, duke pretenduar se amerikanët po “helmoheshin pa vetëdije” prej tyre.

Kundërshtarët e tjerë përfshijnë në listë edhe vajin e misrit, sojë, fara pambuku, fara rrushi…

Kritikët thonë se këto vajra – të cilat sot përbëjnë më shumë se 25 për qind të kalorive në dietat tona – po shkaktojnë obezitet dhe po çojnë në një sërë problemesh shëndetësore nga diabeti i tipit 2 deri te depresioni dhe madje edhe migrena.

Hulumtimet e fundit kanë zbuluar se vajrat e farave nuk janë gjithmonë opsioni më i shëndetshëm.

Shqetësimi kryesor është se ato janë të larta në acide yndyrore omega-6, të cilat mund të rrisin inflamacionin në trup, duke rritur në fakt rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe sulmeve në zemër.

Por kjo nuk do të thotë se vajrat e farave duhet të ndalohen, thotë ekspertja e të ushqyerit Dr. Mary Scourboutakos. “Jo të gjithë vajrat e farave janë njëlloj”, tha ajo për The Mail.

“Vajra të ndryshëm kanë nivelet e tyre të acideve yndyrore omega-6. Dhe secila do të ketë efekte potencialisht të ndryshm shëndetësor – veçanërisht për kushte si sëmundjet e zemrës.”

Për shkak të rritjes së marrjes së vajit të farës gjatë 50 viteve të fundit, përqendrimi i acideve yndyrore omega-6 në indin tonë yndyror është rritur me 136 për qind.

Problemi me këtë, disa shkencëtarë besojnë, është se ne nuk po konsumojmë mjaftueshëm acide yndyrore omega-3 krahas tyre. Ndërsa acidet omega-6 rrisin inflamacionin, omega-3 – që gjendet në peshq si salmoni dhe skumbri, si dhe farat chia dhe arrat – e zvogëlon atë. Dhe deri vonë, ne po hanim një raport relativisht të ekuilibruar të acideve yndyrore omega-6 me omega-3.

Por gjatë shekullit të kaluar, edhe kjo ka ndryshuar; Sot, njerëzit konsumojnë pothuajse 15 herë më shumë omega-6 sesa omega-3, pjesërisht për shkak të përhapjes së shtuar të vajrave të farave.

Dhe ky çekuilibër po shkakton dëme për shëndetin, sugjerojnë disa ekspertë.

Shkencëtarët në Universitetin e Kalifornisë zbuluan se burrat me kancer të hershëm të prostatës, të cilët hoqën vajrat e farave nga dieta e tyre dhe konsumonin më shumë ushqime të pasura me omega-3, në fakt ngadalësuan përparimin e sëmundjes së tyre.

Por vajrat e farave ndryshojnë shumë në raportet e tyre omega-6 me omega-3. Ndërsa vaji i farave të rrushit përmban 696 herë më shumë acide yndyrore omega-6 sesa omega-3,  vaji i lulediellit 40 herë më shumë, vaji i sojës përmban vetëm tetë herë më shumë.

Në fakt, një përmbledhje e shtatë studimeve të vajit të farave tregoi se efekti i vajit të farës në rrezikun e sulmit në zemër ndryshonte sipas llojit.

Ndërsa zëvendësimi i yndyrës së viçit me vajin e farës ul gjithmonë kolesterolin, jo gjithmonë ul rrezikun e vdekjes nga sëmundjet e zemrës.

Me pak fjalë, ndërsa zëvendësimi i yndyrave të ngopura si gjalpi me vajra farash me një raport relativisht të barabartë omega-6 ndaj omega-3 zvogëlon rrezikun e sulmeve vdekjeprurëse në zemër, ndërrimi i tyre për vajra me nivele të larta omega-6 – si vaji i farave të rrushit ose misrit – rrit rrezikun e vdekjes nga sëmundjet e zemrës.

“Përveçse shkaktohen nga kolesteroli i lartë, sulmet në zemër mund të jenë edhe për shkak të inflamacionit”, tha Dr. Scourboutakos.

Ndërsa shkencëtarët nuk janë saktësisht të sigurt pse ndodh kjo, teoria thotë se nivelet e larta të omega-6 mund të shkaktojnë inflamacion, që më pas rrit rrezikun e krijimit të pllakave yndyrore në zemër.

Dr. Scourboutakos këshillon të përdorni vajin e ullirit – i cili përmban një lloj tjetër yndyre si dhe lëndë ushqyese bimore.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko