Kryeministri Edi Rama ka inspektuar hapjen e kantierit të parkimit të madh në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza.
Kreu i qeverisë u shpreh se tashmë asnjë makinë nuk do të lëvizë në QSUT përveç atyre të urgjencave. Rama theksoi se gjithë pjesa publike jashtë godinave duhet të transformohet në një park.
“Ky ishte vizioni i nisjes, i gjithë transformimit. Këtu ishte një pazar i madh me rroba, fruta-perime, kinkaleri. Ishte që të arrinim pikërisht këtu dhe kjo faktikisht është një nyje që zgjidhet tani se duke u bërë parkimi i përbashkët në një godinë të përqendruar, duke u shpallur QSUT e gjitha këmbësore dhe asnjë makinë më s’lëviz asgjëkundi në QSUT përveç makinës së urgjencës, gjithë pjesa publike jashtë godinave duhet të transformohet në një park. Kjo është gjëja që duhet të bëjmë!
Duhet bërë një investim fundor këtu tani. Gjithë çfarë ka jashtë perimetrit të godinave të lulëzojë edhe me vepra arti përveçse me gjelbërim, edhe me vepra arti dhe kjo do ta përmbylli procesin!”, u shpreh Kryeministri.
Projekti parashikon hapësirë multifunksionale me 1400 vende parkimi në ditë, me një strukturë hotelerie në dispozicion për pacientët dhe familjarët e tyre, por dhe për studentë, mjekë e bashkëpunëtorë të jashtëm të qendrës, si dhe me një hapësirë për helikopterët e urgjencës mbi tarracën e godinës.