KFOR, forca paqeruajtëse ndërkombëtare e udhëhequr nga NATO-ja, ka filluar të zëvendësojë mbishkrimet përgjatë “vijës administrative” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Arsyeja pse ato po ndryshojnë, një proces që po kryehet nga një ndërmarrje private, është gjendja e tyre e keqe për shkak të ekspozimit ndaj motit.

Zëdhënësi i KFOR-it, Vincenzo Grasso tha se shenjat po zëvendësohen në mënyrë që të shmanget ndonjë shkelje aksidentale nga ana e  KFOR-it e  marrëveshjes me Ushtrinë e Serbisë, duke kaluar vijën administrative të ndarjes”.

Sipas tij, “vija administrative është themeluar për qëllime ushtarake dhe nuk ka të bëjë me kufijtë zyrtarë të tanishëm apo të ardhshëm”.

Ai siguroi se “nuk ka arsye për frikë ose konfuzion”.

“Njerëzit duhet të kenë besim te KFOR, ndaj ne lëshojmë komunikata për shtyp për të informuar dhe për të shmangur çdo spekulim apo frikë të pabazuar”, tha Grasso.

Ai shpjegoi se shenjat u ndryshuan sepse ato u krijuan dy dekada më parë, u dëmtuan nga kushtet e motit, dhe disa u hoqën gjithashtu.

Ai njoftoi se 70 mbishkrime do të zëvendësohen në më shumë se 20 vende të ndryshme.

Ai gjithashtu deklaroi se këto shenja “nuk kanë ndikim apo vlefshmëri për qytetarët, por i referohen vetëm personelit të KFOR-it dhe UNMIK-ut”.

“KFOR-i nuk vendos kufij, është i paanshëm dhe nuk favorizon askënd”, përfundoi Grasso.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re